Analisti politik, Afrim Kasolli, në ARB Debat me Rid Berishën, ka bërë një analizë për zgjedhjet që u mbajtën në Gjermani, ku Unioni CDU/CSU doli fitues i zgjedhjeve.
Kancelari gjerman në ardhje, Friedrich Merz, pas fitores bëri një deklaratë të fortë në lidhje me SHBA-të, ku tha se është në dyshim e ardhmja e NATO-s dhe bëri thirrje për forcim urgjent të mbrojtjes evropiane, duke siguruar se Evropa duhet të bëhet më e pavarur nga SHBA-ja.
Lidhur me këtë, analisti Kasolli në ARB Debat thotë se kjo deklaratë vjen pas tensioneve të fundit që u krijuan mes vendeve evropiane dhe SHBA-së, pas shtimit të presionit nga kjo e fundit ndaj vendeve evropiane.
“Kjo deklaratë mund ta kuptojmë në kontekst të tensioneve të fundit që janë krijuar sidomos me SHBA-të dhe presionit të kësaj të fundit ndaj vendeve evropiane dhe përjashtimin që iu ndodhi vendeve të BE-së me fillimin e negociatave së bashku me Rusinë për fatin e luftës në Ukrainë, madje edhe të vetë Ukrainës,” ka thënë Kasolli.
Kasolli tutje shton se është krijuar një atmosferë e polarizuar në marrëdhëniet transatlantike. /TV Arbëria