Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Mbi 200 vullnetarë dhurojnë gjak në Strellc për nder të dëshmorëve

Mbi 200 vullnetarë dhurojnë gjak në Strellc për nder të dëshmorëve

Ata që ranë për çlirim, tani përkujtohen në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është edhe dhurimi i gjakut, siç veprohet tash e katër vjet në Strellc të Deçanit.

Me moton “Strellci dhuron gjak”, mbi 200 vullnetarë nga ky fshat, me këtë aktivitet, nderuan të veprën dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit.

“25 maji shënon fillimin e luftës frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe, ku me atë datë ra dëshmori i parë në fshatin tonë, Ismet Ukaj, i cili tani e gëzon epitetin e heroit të kombit. Për hir të kësaj date kemi bërë dhurimin e gjakut vullnetar, tash e katër vite. Ky aktivitet tashmë është shndërruar në aktivitet tradicional dhe numri i qytetarëve nga viti në vit po rritet”, tha Vatan Istrefaj, dhurues dhe organizator.

“Strellci masovikisht i përgjigjet dhurimit të gjakut. Është ndjenjë shumë e mirë. Ata para neve kanë dhënë gjakun dhe jetën për liri. Për me dhanë gjak është gjëja më e vogël dhe çdo herë jemi të gatshëm”, tha dhuruesi tjetër, Naim Povataj.

Edhe Bleron Avdimetaj dhurues i gjakut, ka thënë se është ndjenjë e mirë dhurimi i gjakut dhe sadopak një kontribut i vogël për komunitetin.

Është ky viti i katërt që të rinjtë e këtij lokaliteti dhurojnë gjak. Ata thonë se ky aksion do të vazhdojë edhe në vitet që vijnë.