Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin “FRONTAL” të T7 ka thënë se janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për votimin.
“Qëndrimet nuk kanë ndryshuar, kandidatja për kryetare të kuvendit mbetet ajo që e ka propozuar Lëvizja Vetëvendosje. Vlerësoj që LVV ka bërë hapat e nevojshëm dhe ata që kërkohen për të konstituar kuvendin, duke bërë propozimin për më tepër duke ofruar mundësi edhe për thyerjen e asaj egos të atyre që refuzonin votimin e kryetares së kuvendit, përmes formës së votimit të fshehtë”, tha ai.
Ai ka folur për këmbënguljen e VV’së për votim të fshehtë.
“Vlerësoj që është një përpjekje që mundëson që deputetët të reflektojnë, ndonjëherë kjo pjesa e kulturës sonë e ka edhe këtë pjesën e egos, dhe VV përmes propozimin të formës së re të votimit ka mundësuar që deputetët të reflektojnë dhe të ndryshojnë qëndrimet për arsye që dihet, se e drejtë kushtetuese e VV’së është që të propozojë emrin e kryetarit të kuvendit, dhe këtë e ka bërë”, tha ai.
Ai shtoi se VV ka ofruar zgjidhje përmes mundësisë së marrëveshjeve politike me parti tjera për hapat e mëtejshëm.
“Kemi tentativa për të komunikuar me partitë opozitare nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka pasur letër që i është dërguar LDK’së për çështjen e një bashkëpunimi të mundshme. Ka pasur diskutime tjera dhe vlerësoj do të ketë diskutime të tjera”, shtoi ai.
Ai tha se nuk ka komunikuar me asnjë deputetë nga partitë tjera për ndryshim qëndrimesh rreth votimit për kryekuvendar. /GazetaExpress/