Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “Manifestim për Skënderbeun” – Korporata Kryeziu dhe organizata Shqiptaria thërrasin shqiptarët në manifestimin e 6 majit në Prishtinë

“Manifestim për Skënderbeun” – Korporata Kryeziu dhe organizata Shqiptaria thërrasin shqiptarët në manifestimin e 6 majit në Prishtinë

Qëndrim Kryeziu nga Korporata Kryeziu, bashkërisht me organizatën “Shqiptaria”, kanë organizuar një manifestim madhështor më 6 maj në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Kjo për nder të datëlindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Për të folur më në detaje rreth këtij organizimi, Qëndrim Kryeziu ka qenë i ftuar në emisionin Arb Debat me Rid Berishën në TV Arbëria.

Qëndrim Kryeziu: Pa pjesën më të madhe të çlirimtarëve të UÇK-së, nuk do t’ia kishim arritur as ta organizojmë këtë manifestim

Qëndrim Kryeziu tha se pa kontributin e çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizimi i manifestimit për ditëlindjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nuk do të ishte i mundur.

“Pa pjesën më të madhe të çlirimtarëve të UÇK-së, ne nuk do t’ia kishim arritur as ta organizojmë këtë manifestim, sepse në familjen time është festuar gjithmonë ditëlindja e Gjergj Kastriotit dhe është ditëlindja e katërt që po e bëjmë publike”, tha Kryeziu.

Si shkoi Agron Haradinaj nga spitali në manifestimin për Skënderbeun? Kryeziu: Një patriot i jashtëzakonshëm

Kryeziu përmendi çlirimtarin Agron Haradinaj, i cili, ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore, mori pjesë në manifestim.

“Agron Haradinaj, një patriot i jashtëzakonshëm që kishte ardhur nga spitali i shtrirë, sepse e dinte, e ndjente që i kishte ditët e fundit dhe tha: ‘Do të vij, se luftova me flamurin e Skënderbeut’, tha ‘luftova me flamurin e Gjergjit’, ‘do të vij në atë ditëlindje se kam marrë pjesë në çdo ditëlindje të Gjergj Kastriotit që nga paslufta, do të vij ta festoj edhe këtë ditëlindje, se ndoshta do të jetë e imja e fundit'”.

Kryeziu shtoi: “Pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore të Agron Haradinajt, ai me çdo kusht shkoi në manifestimin për ditëlindjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.

Kritikë për institucionet: 25 vjet pas, pa dokumentim të luftës së UÇK-së

Kryeziu kritikoi institucionet shtetërore për mungesën e angazhimit në dokumentimin e luftës së fundit.

“Në këtë atdhedashuri, pasi institucionet tona shtetërore të pasluftës tash e 25 vjet nuk kanë gjetë kohë të paktën me i shkru tri-katër faqe për luftën e fundit, përmendet vetëm lufta heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe asgjë më shumë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku UÇK-ja është një nga projektet më të mëdha të popullit shqiptar pas Gjergj Kastriotit”.

Thirrje për pjesëmarrje më 6 maj në Prishtinë

Kryeziu bëri thirrje për pjesëmarrje në manifestimin e 6 majit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Bëj thirrje më 6 maj çdo njërit që ndjehet shqiptar të vijë dhe të festojë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, sepse ka për çka të festojë”.

Kryeziu me mesazh: Të ndarë mund të na hanë, të bashkuar nuk thyhemi – e kemi vërtetuar në luftën e UÇK-së

Kryeziu dha edhe njw mesazh uniteti duke e lidhur trashëgiminë e Skënderbeut me luftën e UÇK-së.

“Pikat kyçe të Gjergjit, ku i mori, i bëri bashkë edhe thuprat — të ndarë dhe të përçarë mund të na hanë të gjithë, të bashkuar e kemi vërtetuar që në luftën e UÇK-së, ku e dinë çdo njëri, nëse jemi të bashkuar, ne nuk kemi shanca me u thy, por kemi me fitu çdo luftë”. /TV Arbëria