Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu ka kujtuar kampanjën e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje dikur për blerjen e produkteve vendore, ndërsa shkroi se nga sot shtrenjtohet “çdo gjë që prodhohet në Kosovë” si pasojë e qeverisë aktuale të udhëhequr nga kjo parti.
Ajo shkroi në Facebook se sot hyn në fuqi shtrenjtimi i energjisë elektrike për prodhuesit vendorë. Bizneset e mëdha duhet ta gjejnë vetë në treg ndërkombëtar dhe ta blejë rrymën.
“BLEJE TËNDEN DIKUR – E SOT, GODITE TËNDEN! A ju kujtohet kur VV bënte thirrje për prodhime vendore me moton “Bleje tënden”? Gjojase, përkrahje për prodhuesit tanë! E prej sot, me bekimin e Kurtit dhe qeverisë në ikje, hyn në fuqi shtrenjtimi i energjisë elektrike për prodhuesit vendor”, shkroi Lushaku Sadriu.
“Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë vendore, që prek çdo produkt që blejmë, çdo tryezë familjare, çdo xhep të qytetarëve. Nga sot nis rritja e çmimeve për çdo gjë që prodhohet në Kosovë. Nga sot fillon falimentimi i ngadaltë i prodhuesve tanë. Nga sot nis shembja e ekonomisë sonë, edhe ashtu të rënduar. Nga sot rritet barra mbi supet e qytetarëve që mezi po e lidhin muajin me muaj”, shtoi ajo.
Lushaku Sadriu tha se “kjo nuk është ndihmë për prodhimin vendor; ky është sabotim”.
“Kjo nuk është zhvillim; kjo është tradhti ndaj ekonomisë tënde. Sepse kur godet prodhuesin tënd, godet qytetarin tënd. Godet vetë shtetin!”.