Shkruan: Afrim Kasolli
Në një kohë kur dukej se marrëveshja ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit po shkonte drejt “finalizimit”, megjithatë zhvillimet e fundit kanë marrë një kthesë të befasishme.
Një akord i tillë siç dihet ishte përkrahur edhe nga shtetet arabe të Lindjes së Mesme, në dallim nga rasti kur këto të fundit së bashku me Izraelin, e kishin denoncuar marrëveshjen e ish-presidentit Obama të vitit 2015, si të dëmshme për rajonin dhe që i kontribuon forcimit të hegjemonisë së Teheranit. Mirëpo, sot Izraeli ka mbetur i vetmuar në këtë kundërshtim.
Sepse, shtete si Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë duke lobuar më të madhe për një “pajtim bërthamor” në mes Uashingtonit dhe Teheranit. Madje edhe anashkalimi i Izraelit nga Presidenti Trump, gjatë vizitës së fundit në Lindje të Mesme e transmetonte mesazhin se SHBA-të nuk janë në të njëjtën linje me kryeministrin Benjamin Natanjahun, për qasjen ndaj Iranit. Ngase ky i fundit është duke kërkuar bombardim urgjent të impianteve bërthamorë të atij shteti.
Sidoqoftë bllokimi i negociatave në mes të Uashingtonit dhe Teherani është duke kontribuar në përshkallëzimin ekstrem të situatës së sigurisë rajonale. Sipas CNN tashmë SHBA-të kanë urdhëruar evakuimin e një pjesë të diplomatëve dhe familjeve të ushtarakë amerikanë nga rajoni.
Ndonëse, vazhdon mediumi në fjalë shqetësimet për sigurinë në rajon mbeten ende të paqarta , megjithatë largime të tilla po ndodhin në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar tej mase kohët e fundit, përkundër insistimit të administratës Trump për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin.