Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç pritej, dje Zyra e Rregullatorit për Energji, bëri të ditur se vendimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1 për qind, nuk do të vlejë për të katër komunat veriore të vendit. Ndërkohë, kur diskriminim ekonomik i qytetarëve të Kosovës filloi të shkaktoi reagime sociale, atëherë i njëjti trup e mohoi atë që e pohoi. Kundërthënie këto që u demantuan nga vet operatori që më merret me distribumin e rrymës në atë rajon, sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë, i cili e parasheh që kompania serbe Elektrosever të merret me faturimin dhe caktimin e çmimeve energjetike.
Kjo sjellje e ZRRE-së, është identike me atë të para shtrenjtimit të rrymës. Kur mediat raportuan se ky bord ka në plan ta ndërmarr një veprim të tillë, ai u mohua kategorikisht, sepse ishte fushatë elektorale dhe ekzistonte frika se do të kishte pasoja për partinë në pushtet. Por pas përfundimit të zgjedhjeve ndodhi e kundërta.
Ndërkohë, ditën që ishte marrë vendimi për këtë shtrenjtim të rrymës nga bordi i ZRRE-se, pata shkruar se si i tille ai ka gjasa të mos vlejë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Sepse, kërkesa për këtë shtrenjtim ishte parashutuar nga disa operatorë që merren me distribumimin e energjisë si Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO].
Mirëpo, kompania që e kryen këtë funksion në pjesën veriore, Elektrosever nuk kishte parashtruar kërkesa të tilla pranë ZRRE-se për rritjen e çmimit te rryemes. Në anën tjetër, ishte vetë Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, i cili kohë me parë i kishte thëne mediumit Evropa e Lire “se qytetarët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever” . Pra situata ishte e qartë. Këto premisa tregonin se segregimi ekonomik i qytetarëve të Kosovës mbi baza etnike po bëhej realitet i pashmangshëm.
Prandaj, me këtë rast duhet potencuar faktin se një padrejtësi e tillë nuk është shprehje e reagimeve spontane të tregut, siç disa nga eksponentët e pushtetit neoliberal tentojnë ta justifikojnë. Ku këta të fundit mëtojnë të shfajësohen se nuk kanë asgjë në dorë. Dhe se çmimet në këtë sektor nuk varen nga vullneti i tyre politik, por nga bursat ndërkombëtare që janë forca imperosonale dhe askush nuk i kontrollon.
Nuk ka asgjë më të pasaktë se sa ky interpretim. Në fakt krejtësisht është e kundërta. Kjo padrejtësi e re shoqërore dhe ekonomike, është produkt tipik i vendimmarrjes politike. Fillimisht, partia në pushtet nëpërmjet procesit të negociatave në Bruksel e ka shtruar rrugën e instalimit tinëzar të “vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Dhe çarja e sistemit energjetik të vendit është njëri nga atributet e këtij procesi.
Kjo është arsyeja që sot qytetarët e Kosovës mbi baza etnike paguajnë çmime të ndryshme energjetike. Ku ata në veri nuk i nënshtrohen presioneve sikur qytetarët e shumicës shqiptare. Këta të fundit tashmë mbi kurrizin e tyre janë të obliguar për t’i plotësuar apetitet e kompanive si KEDS, një parakusht ky, që elita aktuale në Kosovë të integrohet në kuadër të pushtetit ndërkombëtar, që përfaqësohet nga kompanitë që janë të lidhura me rrjeta të tilla.
Është kjo qasje që e redukton politikën në performancë lokale dhe vetëm në funksion të mirëmbajtjes së pushtetit ekonomik global. Me këto sjellje Lëvizja Vetëvendosje është bërë mishërim autentik i përpjekjeve për ta radikalizuar edhe me tej frymën ideologjike neoliberale. Ky tjetërsim i saj shpreh edhe njërën nga disfatat tipike ideologjike, e cila si parti e ka përfkufizuar vetën nominalisht si të majtë.
Mirëpo, tash ky model është i destinuar të dështojë. Sepse siç e tha në një intervistë për BBC, filozofi slloven, Slavoj Žižek, presidenti Trump, që i takon spektrit ideologjik të së djathtës konservatore, po e lëkund atë rend, që e majta e kishte definuar si synim politik. /TV Arbëria