Shkruan: Afrim Kasolli
Këshilltari për media i presidentës Vjosa Osmani, Bekim Kupina, nëpërmjet një prononcimi për mediumin Nacionale, ka deklaruar se para e shtetit i ka ftuar liderët e partive politike në vend për takim me datë 4 qershor 2025, më qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Sipas tij menjëherë pas këtij takimi, ajo do të caktojë këtë datë.
Ky zhvillim po ndodh në një kohë kur Kuvendi i Kosovës i dalur nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, nuk ia ka dalur të konstituohet,as pas 25 tentimeve. Partia fituese e zgjedhjeve është duke ngulur këmbë në emrin e Albulena Haxhiut si krye parlamentare. Kurse subjektet “opozitare” e kanë kundërshtuar katërçipërisht këtë nominim. E para e ka refuzuar këtë kërkesë për kompromis me pretendimin se emri krrye parlamentarit është e drejtë ekskluzive e saj dhe se themelimi i Kuvendnit të Kosovës, është detyrë e të gjitha subjekteve parlamentare. Këto dallime kanë bërë që tashmë fundi i kësaj krize politike të mos shihet askund në horizont.
Në këtë kontekst, ka gjasa që atmosfera e re elektorale e zgjedhjeve lokale ta zë Kosovën pa i konstituar institucionet qendrore. Madje nën efektet e saj do të vështirësohej edhe më shumë ky proces. Sepse zakonisht në kësi situata shtohet tej masa adrenalina politike dhe shtohen edhe më shumë tensionet ndër-partiake. Kurse nuk kanë munguar as “spekulimet” analitike që është interes i “pushtetet” aktual mbajtja e zgjedhjeve të dyfishta, e atyre lokale, sipas afatit kushtetues, ashtu edhe nacionale, për shkak të dështimit të sipër cekur.
Ishte vetë Albin Kurti, që në rrjetin e tij social, kishte shkruar se “pak pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”. Duke treguar në këtë mënyrë interesimin e tij edhe për sigurimin e pushtetit në nivel lokal.
Të gjithëve na kujtohet se çka kishte ndodhur në zgjedhjet nacionale dhe lokale në vitin 2021. Ato ishin fituar në mënyrë të paprecedent nga Lëvizja Vetëvendosje më 14 shkurt të atij viti. Por, ishin humbur në masë tejet të madhe ato komunale në vjeshtë.
Prandaj, tendenca për t’i mbajtur këto zgjedhje në të njëjtën ditë, duket të jetë edhe një strategji e kalkuluar e liderit të Vetëvendosjes me qëllim që të shmanget ajo që kishte ndodhur para katër viteve. Sepse në këtë mënyrë shpresohet se duke qenë mbartës kryesor i fushatës lideri i Vetëvendosjes, atëherë do të mund te kompensohet dobësia strukturore e këtij subjekti në nivel lokal. /TV Arbëria