Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e pesëmbëdhjetë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 15 maj në orën 10:30.
Paraprakisht, në nisje të seancës, deputetët mbajtën 1 minutë heshtje në nderim të 44-të përvjetorit të rënies së dëshmorëve Tahir dhe Nebih Meha. Për këtë veprim sërish nuk u ngritën në këmbë deputetët nga radhët e Listës Serbe.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por kësaj thirrje nuk iu përgjigjen pozitivisht partitë e tjera.
Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 56 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim.
“56 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka pas asnjë, po ashtu asnjë abstenim, atëherë shihemi më 15 në ora 10:00”, tha ai.
Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm./kp