Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se qeveria dhe i gjithë kabineti janë në detyrë dhe “efektivisht” të dorëhequr që nga 23 marsi.
“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua, sepse partitë opozitare – PDK, LDK dhe Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputet. Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Qeveria jonë, ky kabinet qeveritar është në detyrë, dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur edhe e kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katër vjeçar. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re, Qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë, pushtetin ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi, kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësi, siguri dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës. Krahas përmbushjes së mandatit të plotë qeverisës që na vë në një rol kujdestar, deri në formimin e qeverisë së re , unë në emër të kabinetit qeveritar dje i jam drejtuar Kuvendit me një letër përmes së cilës e kam informuar për statusin e qeverisë sonë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen time nga posti ekzekutiv – veçse efektiv nga ajo datë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqja, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucioneve, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezik i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim thënë së buti i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.