Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Presidentin e Parlamentit të landit të Saxony-Anhalt në Gjermani, Gunnar Schellenberger.
Bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar atë me zhvillimin ekonomik dhe klimën e investimeve gjatë mandatit qeveritar, ku siç thuhet Kosova ka regjistruar normat më të larta të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
“Theksoi incentivat për investitorët vendas dhe të huaj, gjersa vendi ynë po kthehet në një destinacion më tërheqës investimi veçanërisht në fushën e teknologjisë”, thuhet në njoftim.
Kurti dhe Schellenberger thuhet se kanë biseduar edhe mbi politikat qeveritare për ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës sipas modelit gjerman, i cili tashmë po zhvillohet në vend në kuadër të strategjisë kombëtare për modernizimin e arsimit profesional, me fokus në përafrimin e kurrikulave me nevojat e tregut të punës.