Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Kurrë s’do të ndalojmë së kërkuari drejtësi”

“Kurrë s’do të ndalojmë së kërkuari drejtësi”

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti dje në në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Forcë, kanë thënë se kurrë nuk do të ndalojnë së kërkuari drejtësi për të zhukurit, ndërsa ju kanë bërë thirrje ndërkombëtarëve të rritin presionin ndaj Serbisë

Osmani, ka ritheksuar angazhimin e vazhdueshëm për drejtësi për të zhdukurit me forcë gjatë luftës në Kosovë, duke e cilësuar si një betejë që nuk do të ndalet.

Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Forcë, Osmani ka kujtuar mbi 1600 qytetarë të Kosovës, të cilët ende mbeten të zhdukur nga lufta e tmerrshme e Serbisë, duke theksuar se Serbia është përgjegjëse për këto krime

“Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Forcë, kujtojmë mbi 1600 qytetarë tanë – nëna, baballarë, fëmijë – që ende mbeten të zhdukur nga lufta gjenocidale e Serbisë. E dimë kush është përgjegjës. E dimë ku qëndrojnë përgjigjët. Dhe kurrë nuk do të ndalojmë së kërkuari drejtësi për çdo jetë të vjedhur, çdo të vërtetë të fshehur, çdo varr të mbuluar”, ka shkruar Osmani në ‘X’.

Kurse, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërtetën e këtyre krimeve dhe për të vënë drejtësi për gjenocidin e kryer në Kosovë

“Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Jo vetëm personat e zhdukur, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm, duke pritur drejtësi për të dashurit e tyre”, tha ai.

Kurti theksoi rëndësinë që institucionet e drejtësisë të merren me rastet e krimeve të luftës, për shkak të kalimit të kohës dhe humbjes së dëshmitarëve.

“Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të rajonit Reka e Keqe të Gjakovës. Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe mbështetje ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura”, tha Kurti.