Ka kohë që shumë aktivitete të jetës publike po përdoren edhe si altropalantë për promovimin publik të jetës fetare. Kështu, religjioni, besimi dhe dedikimi personal nga një marrëdhënie intime, shpirtërore dhe private po shndërrohet në një mjet për afirmim të hapur ideologji të caktuara fetare.
Zakonisht, ky aktivitetet po intensifikohet dhe trumbetohet me të madhe në muajin e Ramazanit. Në sheshe e qytete të ndryshme shqiptare organizohen iftarë të hapur, goja nën e emrin a bamirësisë, mëshirës, humanizmit etj, por të cilat në fakt shpeshherë ka ndodhur që të tjetërsohen në “kongregacione” politike dhe ideologjike. Këto darka të gabuara “politiko-religjioze” kanë vetëm një qëllim që ta përçojnë mesazhin e masivizimit të hapur të fesë islame si i vetmi kod i jetës kulturore dhe publike në hapësirën shqiptare. Përjashtim, këtu nuk bëjnë as liderët e partive politike të cilat nga etja për pushtet nuk kanë nguruar ta kërkojnë bekimin e tyre nga evente të tilla. Shumica prej tyre mbase aktivitet kryesor publik në këtë muaji do t’i kenë iftaret politikë me drejtuesit e BIK-ut. Akte këto, që nga të dy palët janë në shpërputhje flagrante, me mesazhin e verave religjioze. Sepse në këtë mënyrë drejtuesit politikë aspirojnë t’i shfrytëzojnë resurset qiellore për përftime tokësore, dhe anasjelltas drejtuesit religjiozë nga ky pak faustian me politikën aspirojnë t’i shtrijnë tentakulat e tyre mbi institucionet publike shtetërore për ta shtrirë hegjemoninë e tyre politiko-fetare.
Në linjë të kësaj mendësie mund të interpretohen edhe aktet që në shikim të parë duken spontane dhe të rastësishme, sikur bie fjala gjatë ditës së djeshme në qytezën e Rrogozhinës në Shqipëri gjatë ndeshjes së futbollit të ekipit vendës Egnatia me Teutën e Durrësit, kur në kohën e iftarit, ndërpritet loja në pjesën e parë ( minuta e 35 ). Ndërprerja, e kësaj loje bëhet kur Ezani nga xhamia më e afërt qytetit e lajmëron përfundimin e ditës së agjërimit. Një ngjarje e tillë ka qenë e pazakontë deri më tani në kulturën tonë sportive. Prandaj, ajo nuk ka si të interpretohet ndryshe pos si përpjekje për ta shndërruar edhe sportin në medium për përçimin e agjendave të sipër cekura. Sepse, siç dihet nga të gjithë nuk ka sferë që ushtron ndikim më të madh se sa spektakli i veprimtarisë sportive në masat e gjëra shoqërore. Jeta e atyre që defilojnë në fushën e blertë në masë të madhe adhurohet dhe idealizohet nga ndjekësit e panumërt që mund të jenë anekënd vendit. Pra thjesht shembulli i tyre jetësor është diçka që mund të imitohet dhe introjektohet. Ndërkohë, për shpërdorimin e mundshëm të sportit nga misioni që duhet ta ketë ekzistojnë raste të panumërta. Ideologjia vrastare e nacionalizimit serb në fund të shekullit të kaluar në masë të madhe u ngjiz në podiumet e stadiumeve të futbollit.
E hulumtime të shumta edhe sot kanë dëshmuar lidhjet që fqinjërojnë ndërmjet sportit dhe ekstremizmit fetar. Si çdo sferë tjetër edhe sporti ka dy anë të medaljes; para që është afirmative dhe mund të eliminojë idetë ekstreme midis popullatë së re përmes frymës ekipore dhe lojës së ndershme dhe e dyta fatkeqësisht ajo e abuzimit të sportit për radikalizmin e të rinjve. Kombi ynë e ka jetike avancimin e frymës se parë dhe luftimin e së dytës. Por, mjerisht ngjarje sikur ajo e sipër cekura, në ndeshjen në mes Egnatia me Teutën e Durrësit, nuk janë asgjë tjetër, pos pjesë e një inxhineringu ideologjik për ta shndërruar edhe sportin në një lloj spektakli fetar dhe me implikime tjera shoqërore./TV Arbëria./