Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kriza politike në Kosovë/ Presidentja bën sehir, i kërkohet të ftojë partitë në takim

Kriza politike në Kosovë/ Presidentja bën sehir, i kërkohet të ftojë partitë në takim

Në ngërçin e fundit politik që ka kapluar Kosovën, që lidhet me mungesën e vullnetit të partive politike parlamentare për të konstituuar Kuvendin, sytë tashmë janë kthyer kah Presidenca.

Edhe pse Kushtetuta e kufizon qartë ndërhyrjen e saj direkte në formimin e institucioneve, kreu i shtetit mbetet garantues i funksionimit kushtetues dhe demokratik të tyre, shkruan A2.

Analisti Afrim Kasolli shprehet: “Nëse e shohim pozicionin kushtetues dhe institucional që e ka Presidentja e Kosovës është normale, është e pritshme që të jetë më aktive në këtë drejtim, të paktën të shprehë brengë më të madhe dhe të demonstrojë një lloj detyrimi për t’i përafruar palët në mënyrë që të gjendet një rrugëzgjidhje për këtë bllokadë shtetërore”.

Në letrën që i dërgoi kryesuesit të seancës Avni Dehari, Presidentja Osmani u shpreh e gatshme të takojë partitë në rast se ato e shohin të nevojshme. Mirëpo, në prag të seancës së nëntë dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike, një takim me krerët e partive tashmë konsiderohet se duhet të ndodhë me iniciativën e Osmanit dhe të mos lihet në vullnetin e partive.

Juristi Ardian Bajraktari deklaron: “Konstituimi i Kuvendit është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme që duhet të bëhet nga ana e të zgjedhurve të popullit, por meqë nuk po bëhet andaj e vlerësoj që institucioni i Presidentit do të duhej të involvohej, të ftojë në takim subjektet politike në drejtim të tejkalimit të kësaj situate”.

Ndërsa analisti Afrim Kasolli shton: “Pas asaj letre nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të tillë në drejtim të materializimit të këtyre synimeve që i ka proklamuar, përkundrazi e kemi parë indiferente nga zhvillimet e fundit politike, më tepër ka qenë e fokusuar në aktivitete jashtë vendit sesa e preokupuar me krizën në të cilën ndodhet Kuvendi i Kosovës”.

Përballë krizës aktuale, ftesa për dialog politik nga Kreu i Shtetit konsiderohet sinjal i qartë se institucioni i Presidentit mbetet aktiv në përpjekjen për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe kushtetues të vendit. Një veprim i tillë, sipas juristëve, nuk përbën shkelje të Kushtetutës dhe nuk sjell pasoja ligjore për Osmanin, por mund të shërbejë vetëm si përpjekje për të lehtësuar arritjen e një konsensusi politik.

“E ka detyrim kushtetues në nenin 84, paragrafi 2 i Kushtetutës të përkujdeset që institucionet të kryejnë punën dhe detyrën e vet në pajtim me Kushtetutën dhe duke qenë se Kuvendi po dështon në kryerjen e këtij misioni, në kryerjen e këtij detyrimi kushtetues, vlerësoj se është në funksion dhe në përgjegjësitë e institucionit të presidentit të përkujdeset për këtë çështje”, thotë Bajraktari.

A2 CNN iu drejtua Zyrës së Presidentes me pyetjen nëse Osmani po planifikon të takojë përfaqësuesit e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituim të Kuvendit, por nuk mori përgjigje.

Që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, Osmani ka qenë për vizitë në Finlandë, mori pjesë në ceremoninë mortore për Papa Françeskun si dhe ka planifikuar një vizitë për në Malajzi gjatë ditëve të ardhshme. Gjithashtu ajo ka qenë pjesë e disa aktiviteteve brenda vendit. (A2 Televizion)