Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani me partitë parlamentare, do të kërkojnë reflektimin nga Lëvizja Vetëvendosje për ndërrimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit – si zgjidhje e krizës politike dhe hapje e rrugës për formimin e institucioneve të reja.
Pas dështimit për herë të pesëmbëdhjetë të konstituimit të Kuvendit të martën, Krasniqi tha se insistimi i Albin Kurtit për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare, përkundër që e njëjta ka dështuar gjashtë herë radhazi, është “i pakuptimtë dhe po e mban peng vendin”.
Megjithatë, ai tha se shpreson që takimi me presidenten Osmani të rezultojë me një rrugë përpara për daljen nga kriza.
“Ky insistim i zotëri Kurtit për zonjën Haxhiu është i pakuptimtë. Si duket është pasiguria e tij në faktin e njohur dhe dëshmuar se nuk i ka numrat për shumicën parlamentare. Megjithatë, unë si kryetar i PDK-së do të insistoj për një qasje zhbllokuese. Ne kemi dhënë propozimet tona jo vetëm për ndërrimin e kandidatit, por edhe për shkuarjen para të qeverisë të partive të ish opozitës. Po ashtu më vjen mirë që presidentja Osmani ka pranuar propozimin për të thirrur një takim të të gjitha partive politike. Për çka shpresoj që të gjithë t’i përgjigjen pozitivisht për të shkuar dhe shpreh opinionet dhe pasur një diskutim që të rezultojë me një rrugë përpara për daljen nga kriza”, tha Krasniqi.
Krahas kësaj, duke folur për propozimin e LDK-së për një qeveri gjithëpërfshirëse tranzitore, ai tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar të njëjtën dhe se “i njëjti ka rënë në ujë”.
“A mundeni kushdo prej juve që me ia mbush mendjen Albin Kurtit me ardh këtu dhe me ndërru kandidaten për kryetare. Kjo po duket tepër e vështirë dhe pastaj kush mundet të ia mbush mendjen për mos me u bërë kryeministër. Unë nuk kam shumë shpresë që është aq konstruktiv sa me bë një gjë të tillë. Unë nuk kam dalë kundër një propozimi të tillë, por kam shpreh qëndrimin pse duhet me i dhënë vendit një qeveri tjetër. Nëse të gjithë duhet të jenë bashkë për të mbështetur një propozim të caktuar për me u materializu ai dhe një prej tyre thotë jo, atëherë krejt propozimi bie në ujë. Nuk e di çka mund të them më shumë për atë propozim ku LVV-ja e ka refuzuar”, tha ai./kp