Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është “as afër” arritjes së shumicë, andaj sipas tij, po përpiqen “të blejnë kohë për t’i bërë pazaret politike”.
Pasi dështoi për herë të dytë konstituimi i Kuvendit, Krasniqi tha se “sot është bërë uzurpimi partiak i seancës”.
“Sot ka pasur uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës. Në vend se të zbatohet skenari i seancës, vazhdimi i saj, të hedhet në votim raporti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur por është keqpërdorur kjo e drejtë. Këta jo që nuk kanë shumicë por nuk janë as afër shumicës. I ftoj që mos ta mbajnë peng konsituimin e kuvendit të Kosovës, themelimin e institucioneve të vendit, afatet kushtetuese, por le të vinë në seancë dhe le të votojnë. Këta nuk kanë shumicë parlamentare dhe meqenëse nuk kanë po dëshirojnë me ble kohë edhe 48 orë kohë për me i bë pazaret politike, të cilat edhe mbas dy dite do t’i kenë në nivelin e njëjtë”, tha Krasniqi.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i LVV-së e ndërpreu seancën dhe tha se e njëjta do të vazhdojë brenda 48 orësh.
Sipas tij, nuk kishte konsensus me përfaqësuesit e partive politike se si të veprohet tutje.
Një tjetër tentim i pasuksesshëm për konstituim të Kuvendit ishte të martën më 15 prill. Seanca u ndërpre pasi opozita e deritanishme nuk e votoi raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit duke thënë se anëtarët e qeverisë në detyrë duhet të japin dorëheqje formale para betimit si deputetë./kp