Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 individëve të tjerë të dyshuar për krime lufte që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999, kundër popullsisë civile shqiptare.
Kështu e ka konfirmuar Ilir Morina, shef i Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Vendimi për lëshimin e urdhërarrestit është marrë më 15 prill 2025, pas kërkesës nga Prokuroria Speciale e datës 27 mars 2025. Të dyshuarit janë akuzuar për krime lufte që kanë ndodhur në periudhën 7-10 maj 1999, në rajonin e njohur si “Ura e Taliqit” në Gjakovë. Ata, si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe, dyshohet se janë futur shtëpi për shtëpi, duke nxjerrë me forcë civilët shqiptarë. Burra janë ndarë nga gratë dhe fëmijët, dhe më pas janë ekzekutuar 106 civilë. Trupat e viktimave janë zbuluar pas luftës në një varrezë masive në Batajnicë, Serbi.
Prokuroria Speciale ka filluar hetimet më 18 mars 2025, dhe urdhërarresti është bazuar në dyshime të arsyeshme për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, sipas Kodit Penal të ish-Jugosllavisë dhe aktualisht të sanksionuar në Kodin Penal të Kosovës.
Milan Radoiçiq, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator 2023, është gjithashtu një figurë kyçe në hetimet për krimet e luftës gjatë periudhës 1998-1999.
Pas sulmit, që rezultoi në vdekjen e një polici të Kosovës, Radoiçiq mori përgjegjësinë për aktin, dhe besohet se ndodhet në Serbi, ku autoritetet serbe mohojnë çdo përfshirje.
Kosova ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje, ndërsa Beogradi i ka kundërshtuar këto akuza. Në Kosovë është ngritur aktakuzë për këtë rast, duke përfshirë edhe Radoiçiqin, dhe ka filluar gjykimi ndaj tre të pandehurve që ndodhen në Kosovë.
Megjithatë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar ankesën për gjykimin në mungesë të të pandehurve të tjerë për rastin e Banjskës.