Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Konstituimi i Kuvendit, Osmani takohet me ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve

Konstituimi i Kuvendit, Osmani takohet me ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve, Anu Pratipatti

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat tutje drejt konstituimit të Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës dhe hapat e mëtejmë institucional në përputhje me Kushtetutën.

Siç thuhet në komunikatën e presidencës, Osmani e njoftoi Pratipatti për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon”.

“Në takim u diskutua edhe për dy njohjet e reja, respektivisht njohjen nga Kenia dhe Sudani, gjë që u mirëprit si një zhvillim i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Presidentja Osmani dhe znj. Pratipatti riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në komunikatë.