Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën solemne për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, deklaroi se dita e sotme na bashkon të gjithëve, sepse është pika më e lartë e deritanishme e përpjekjes për shtetësi.
Ai kujtoi dëshmorët, martirët për sakrificat e tyre për lirinë e vendit. Kreu i Kuvendit tha se nuk harrohen të pagjeturit, të dhunuarit e torturuarit, si dhe ata që mbajtën mijëra vjet burgje për liri.
Konjufca theksoi se lufta e UÇK-së ishte lufta e domosdoshme e popullit, e cila u kurorëzua me pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Konjufca: Republikën tonë do ta ruajmë si më të vlefshmen që e kemi
“Ne nuk harrojmë, së pari mirënjohje po ashtu, për të gjithë miqtë tanë që na ndihmuan për pavarësinë dhe për lirinë tonë, sepse gjithçka që arritëm nuk do të kishte qenë e mundshme pa ndihmën e tyre. Por, kur nuk do ta harrojmë gjenocidin, të cilin e bëri Serbia mbi qytetarët tanë, mbi fëmijët, gratë e pleqtë, mbi popullin tonë. Ne jemi një shtet i ri, por rrënjët i kemi të moçme, këto rrënjë na mbajnë të lidhur e bashkuar fort. Kështu ecëm përgjatë historisë, e cila për popullin tonë ishte e mbushur me përplot rreziqe, kthesa dhe udhëkryqe…Ne e dimë si rrallëkush se çka është vuajtja edhe sakrifica. Trungu ynë i lirisë u ujit me gjakun e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe luftë mbrojtëse. Kjo ishte lufta e domosdoshme e popullit tonë, e cila u kurorëzua me pavarësinë e Republikës së Kosovës. Do ta ruajmë Republikën tonë si më të vlefshmen që e kemi, do ta zhvillojmë vendin tonë të përbashkuar rreth këtij qëllimi.”, u shpreh Konjufca.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku kanë marrë pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri ka shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
/TV Arbëria