13:17 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Konjufca: Deklaratat për sulm eventual nga Serbia s’kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve

Konjufca: Deklaratat për sulm eventual nga Serbia s’kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij e dhënë ditë më parë për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit por për të njoftuar faktorin ndërkombëtar në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.

Ai ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më e sigurt dhe më nën kontroll sesa tani pasi sipas tij institucionet e sigurisë janë stabile edhe të gatshme t’i kundërvihen çfarëdo tendence që vjen nga Serbia.

“E dinë e gjithë shoqëria jonë, e dinë e gjithë bashkësia ndërkombëtare që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Prej këtyre pretendimeve ajo nuk ka hequr dorë kurrë. Po të njëjtën kohë edhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për me ju përgjigjë çfarë do sfidave të sigurisë, kështu që populli i Kosovës duhet me qenë i sigurt, askush nuk i thotë këto deklarata për me i friksu a po për me shkaktu ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës dhe shoqëria jonë besojnë në institucionet tona efektive për me ju kundërvu çfarë do tendence të Serbisë për me destabilizu Kosovën, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari ka thënë se ekzistojnë grupe kriminale që synim kanë destabilizimin e Kosovës dhe janë të strehuara në Serbi.

“Për që ka grupe të cilat e kanë për synim për me destabilizuar Kosovën, ato ne nuk mundemi me rrejt e as me mashtru kërkon. Ato ekzistojnë janë të strehuara në Serbi. Sa i përket brenda Kosovës situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Grupe nga brenda Kosovës të cilat munden me destabilizuar Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta dhe janë në shpartallim e sipër. Prej Serbisë ku ushtrojnë ata, ku marrin armët ku gjejnë strehim ato janë të konfirmuara edhe prej institucioneve tona të sigurisë. E institucionet tona të sigurisë na i bartin neve krerëve të shtetit dhe na tregojnë që ato grupe ekzistojnë. Ku ekzistojnë, ku trajnohen dhe cili është qëllimi i tyre”, u shpreh tutje Konjufca.

Ai ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta ndëshkojë Serbinë për tendencat për destabilizim të Kosovës.

“Këto nuk i themi për me shkaktua frikë, i themi me e kuptua më mirë të vërtetën. Ne nuk ja themi popullit tonë, unë nuk jam duke folur për popull, jemi duke folur për bashkësinë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet me ndëshkuar Serbinë. Ju i patë statistikat për 6 për qind është rritur numri i të huajve që vijnë në Kosovë dhe turistëve do të rritet edhe më shumë, Kosova është shumë e sigurt, institucionet janë stabile edhe të gatshme me ju kundërvu çfarëdo tendence që vjen nga Serbia”, ka theksuar Konjufca./Dukagjini/