Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të mërkurën ka dorëzuar kërkesën tek Institucioni i Avokatit të Popullit për inicimin e procedurës për kontrollin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pagat në sektorin Publik.
KGJK-ja konsideron se ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për gjykatat, rekomandimet e Këshillit të Evropës mbi pavarësinë e gjyqësorit, opinionin e Këshillit konsultativ të gjyqtarëve evropianë dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 203/19.
“Prandaj, Këshilli kërkoi nga Avokati i Popullit që në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore të ndërmerr veprime të nevojshme për adresimin e kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese“, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Ligji i pagave është miratuar nga kuvendi në fund të vitit të kaluar. Po ashtu vlera e koeficientit prej 105 eurosh është caktuar javën e shkuar me miratimin e ndryshimeve ligjore për buxhetin e 2023.
Janë mbi 15 sindikata e institucione që kanë bërë ankesa tek Avokati i Popullit për Ligjin e pagave. /TV Arbëria