Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kasolli: VV-ja dhe Kurti po blejnë kohë për negociim votash për krijimin e institucioneve

Kasolli: VV-ja dhe Kurti po blejnë kohë për negociim votash për krijimin e institucioneve

Ngërçi institucional në Kosovë po hyn në një fazë edhe më të thellë, ndërsa konstituimi i Kuvendit mund të  bllokohet sërish, për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet partive politike për të votuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Analisti politik Afrim Kasolli thotë se situata aktuale nuk po ofron asnjë rrugëdalje të qartë, ndërsa Vetëvendosje, sipas tij, po e përdor krizën për të blerë kohë.

Ai thekson se në këtë krizë presioni kushtetues është mbi Kuvendin, jo mbi Qeverinë dhe se kjo për VV-në përfaqëson një “luks kohor” për të negociuar.

“Duke marrë parasysh që aktualisht janë publike qëndrimet si të partisë fituese të zgjedhjeve, po ashtu edhe të partive të tjera politike parlamentare, si shqiptare, ashtu edhe atyre minoritare, besoj që do të vazhdojë bllokada. Do të jetë seria e tretë e skenarit të bllokimit të konstituimit të Kuvendit. Nuk shoh rrugëzgjidhje në bazë të pozicioneve aktuale dhe në fund mbase kryesuesi i Kuvendit do të detyrohet që të shpallë dështimin e ditës së sotme dhe të kërkojë mbledhjen e seancës së Kuvendit brenda 48 orëve të ardhshme, duke ju referuar obligimeve kushtetuese. Asnjë opsion nuk duket në tavolinë. Nëse herën e fundit PDK-ja nuk kishte marrë fare pjesë në votim, jam i bindur që mbase kësaj here ajo do të votojë kundër. Kështu shtohet gjithnjë e më tepër rezistenca apo kundërshtimi i subjekteve politike opozitare kundër VV-së. Në anën tjetër VV-ja dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti do ta shfrytëzojnë këtë situatë për të blerë kohë dhe për të tentuar që të negociojë për të siguruar numrat për themelimin e institucioneve. Aktualisht, presioni i afateve kushtetuese është mbi Kuvendin e Kosovës, jo mbi qeverinë, sepse ky institucion nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur të gjitha organet përfaqësuese të tij. Ky është një lloj luksi kohor, që e ka kryeministri në detyrë Kurti për të tentuar që të dalë nga situata, në të cilën gjendet”, tha ai.

Sipas Kasollit, kandidimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare nga ana e VV-së ishte një hap i qëllimshëm për të fituar kohë dhe për të zhvendosur përgjegjësinë tek partitë opozitare.

“VV-ja nxori Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare. Jam i bindur që janë të vetëdijshëm që nuk do t’i siguronin numrat, por sa për të blerë kohë dhe për ta mbajtur topin tek partitë opozitare, duke u thirrur edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që thuhet se ky pozicion i takon partisë fituese të zgjedhjeve. Në këtë situatë, partitë opozitare janë në një farë lloj ngërçi në njëfarë mënyre, sepse janë të vetëdijshme që këtë pozicion nuk mund t’ia marrin VV-së pos me negociata apo për ta shtuar presionin mbi të që të paktën edhe kjo të bëjë kompromise për sa i përket emrave të kandidatëve, në mënyrë që të krijohet para opinionit publik një perceptim që megjithatë edhe VV-ja bëri lëshime për t’i bërë numrat për ta zhbllokuar Kuvendin”, tha ai për EO.

Deklarimet e fundit të Ramush Haradinajt, i cili tha se AAK-ja do të kishte votuar për kryetaren e Kuvendit nëse VV do të kishte propozuar emra si Shqipe Selimi ose Saranda Bogujevcim, Kasolli thekson se ato nuk mund të lexohen në mënyrë të izoluar, por duhen parë edhe në dritën e marrëdhënieve të tensionuara me Fatmir Limajn.

Kjo qasje, sipas Kasollit, mund të shpjegojë edhe arsyet e qëndrimit të Haradinajt që tenton t’i hakmerret edhe Limajt që t’ia bllokojë pozicion si kandidat potencial për kryeparlamentar dhe t’ia vështirësojë negociatat e mundshme me VV-në.

“Deklarimet e Haradinajt duhet t’i shohim edhe në kontekst të rivaliteteve me Limajn, përçarjeve që lindën për shkak të afrimit publik që u krijua ndërmjet Limajt dhe VV-së, ndonëse marrëveshje konkrete ende ne nuk pamë, por që pati një farë lloj relaksi, një lloj afrimi, ajo ishte evidente. Qarkullonin informata që Limaj, njëri nga kushtet që i ka vendosur Albin Kurtit për t’i siguruar tri votat e tij për bashkëqeverisje, ka qenë edhe pozita e kryeparlamentarit. Në këtë mënyrë duket sikur Haradinaj tenton t’i hakmerret edhe Limajt që t’ia bllokojë këtë pozicion dhe t’ia vështirësojë negociatat e mundshme me VV-në. Mirëpo, edhe këtu duhet që të kemi parasysh, në bazë të votave që i siguroi në dy runde kandidatja e VV-së, edhe po të ishin votat e Nismës, përsëri nuk do të sigurohej pragu prej 61 votave, për shkak se tash është e qartë që dy përfaqësues të minoriteteve janë afruar në masë të madhe me subjektet politike opozitare dhe kanë vendosur kushte që duken të paakceptueshme për partinë fituese”, tha ai.