Shefja për Politikë të Jashtme Kaja Kallas, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Vizita e saj në Prishtinë vjen në një moment të vështirë për vendin pasi tash e 3 muaj Kosova ndodhet në ngërç institucional.
Në lidhje me vizitën e Kallas në Kosovë ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i zhvillimeve politike, Afrim Kasolli.
Kasolli tha se njëra nga arsyet kryesore të vizitës së shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian në rajon dhe Kosovë pritet të jetë tema e rikthimit të Beogradit dhe Prishtinës në tavolinën e dialogut.
Ai tha se ashtu si të gjithë zyrtarët e tjerë perëndimore që kanë bërë thirrje, temë pritet të jetë edhe themelimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja.
“Po tash njëra nga intencat kryesore të vizitës së shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, si në rajon ashtu edhe në Kosovë, do të jetë pashmangshëm tema e rikthimit të Beogradit dhe Prishtinës, në tavolinën e dialogut të lehtësuar nga zyra e saj. Dhe në këtë drejtim kjo thirrje do të jetë në sinkron me ato të mëhershme, si të sekretarit të NATO-së, Mark Rutte, ashtu edhe te Sekretarit të Jashtëm britanik David Lammy, e deri tek vizita e fundit e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa”
“Thuajse njëzëri secili prej këtyre zyrtarëve perëndimorë e ka shtruar si nevojë urgjentë themelimin sa më shpejt të institucioneve të reja të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit në funksion të dialogut. Mirëpo, mbetet e paqartë se cila temë kryesore do të predimojë në funksion të kësaj agjende. Sepse, Kaja Kallas, disa herë ka deklaruar, se krahas dialogut duhet të shqyrtohet edhe variante tjera në funksion të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, se është e vetëdijshme se në këtë proces kanë ndodhur edhe gabime dhe si të tilla duhet korrigjuar. Apo vetëm do t’u bëjë ftesë palëve që pa kushte të rikthehen në proces. Ngase rajoni po i ekspozohet në masë të madhe përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, duke marrë parasysh edhe gjendjen e trazuar në Bosnje. Në këtë kontekst ndalimi i kësaj spirale nuk mund të bëhet ndryshe pos me anë të dialogut” tha Kasolli për “Gazeta Blic”.
Por analisti, Kasolli, tha se është vështirë të thuhet nëse mesazhet që Kallas do të përcjellë do të kenë shumë efekte praktike në drejtim të përmirësimit të procesit të dialogut.
“Mirëpo, shtrohet pyetja se sa ka çfarë leva ajo ka në dispozicion për të qenë më e suksesshme në këtë drejtim. Siç dihet nga të gjithë ne dialogu krahas normalizimit ndërmjet dy vendeve, e ka për fokus kryesor edhe plotësimin e agjendës euro-integruese. Mirëpo, siç e pamë edhe kohën e fundit, Serbia nuk e ka problem ta shpërfill politikën e përbashkët të jashtme të Brukselit me vizitën e krytatrit Aleksander Vuciq në Rusi, duke u rreshtuar politikisht me ata që hapur e kanë pozicionuar vetën në armiqësi ndaj Perëndimit”
“Dhe një politikë e tillë duale është edhe goditje ndaj procesit të dialogut, sepse e cenon qëllimin themelor të tij. E BE-ja nuk ka treguar se ka shumë mekanizma në dorë për ta disiplinuar Serbinë në këtë drejtim. Përkundrazi, Kosova vazhdon të mbetet nën masa sanksionuese. Më kryesorja dialogu deri të tani ka qenë edhe fryt i unitetit trans-atlantik. Por me administratën Trump në krye të SHBA-ve, mungon edhe ky aset. Kurse shtetet e BE-së, aktualisht janë shumë të rezervuara sa i përket politikës së zgjerimit e cila edhe do të mund të përdorej si karrot të paktën për t’i stimuluar palët që të jenë më efektive ne drejtim të zbatimit të detyrimeve që kanë marrë me marrëveshjet e dakorduara në procesin e dialogut.Prandaj, është vështirë të thuhet se mesazhet e saj do të kenë shumë efekte praktike në drejtim të përmirësimit të procesit të dialogut” tha Kasolli në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.