Analisti dhe filozofi Afrim Kasolli, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “N’Detaje” në TV Arbëria, ku kësaj radhe vjen me një intervistë rreth inteligjencës artificiale dhe ndikimit që ajo mund të ketë në shoqëri.
Kasolli: Inteligjenca artificiale ka kapacitete vetëvepruese, kjo ka ngjallur ankth për jetën shoqërore
Kasolli në emisionin “N’Detaje” thotë se inteligjenca artificiale ka kapacitete vetëvepruese dhe kjo është shndërruar në një ankth për shumë njerëz për pasojat që mund të ketë në shoqëri.
“Inteligjenca artificiale tashmë ka kapacitete vetëvepruese, kjo ka ngjallur ankth te shumë njerëz që merren me pasojat dhe me ndikimet që mund të ketë ky segment në jetën shoqërore”, thotë Kasolli.
Kasolli: Aktualisht vetëm dy-tre profesione nuk janë të rrezikuara nga inteligjenca artificiale
Filozofi Afrim Kasolli thotë se inteligjenca artificiale ka ngjallur shumë dilema në shoqëri, duke thënë se njëra nga dilemat është se: “A po e dorëzojmë ne edhe mendimin tonë ndaj inteligjencës artificiale?”
“Kjo është dilema kryesore: a po e dorëzojmë ne edhe mendimin ndaj inteligjencës artificiale, a është ajo sot që vendos për ne. Kemi të bëjmë me një zhvillim i cili sot është në gjendje të shkruajë ese, rrëfime.”
“Bill Gates, me sa pashë, e tha një paralajmërim që vetëm dy-tre profesione aktualisht nuk janë të rrezikuara nga inteligjenca artificiale”, thotë Kasolli në “N’Detaje”.
Kasolli: Vendet perëndimore kanë filluar të alarmohen nga inteligjenca artificiale, po ndërmarrin masa nga frika për pasojat në shoqëri
Kasolli thotë se shumë vende perëndimore kanë filluar të marrin masa për të mbajtur nën kontroll gjendjen.
“Kam parë që në vende të ndryshme perëndimore kanë filluar të alarmohen për këtë, të ndërmarrin masa, të krijojnë akte legjislative e juridike që të paktën për një kohë të gjatë të mbahet nën kontroll ky zhvillim dhe potencial i jashtëzakonshëm i këtij segmenti, nga frika për pasojat që mund t’i krijojë për shoqërinë njerëzore”, thotë Kasolli në TV Arbëria.