Zyrtarët policorë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare. Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë.
Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23:30, në rrugën “Metush Krasniqi” në Ferizaj, ku një patrullë policore është përballur me kërcënime serioze për jetë nga një qytetar, i cili u ndalua për kontroll të rregullt në trafik.
Policia ka ndalur një veturë Golf 7, ngjyrë e kaltër, me targa të njohura për redaksinë e cila drejtohej nga Fatlir Ademi, rreth 26-vjeçar, ku gjatë kontrollit, zyrtarët kanë zbuluar se i dyshuari po qarkullonte pa patentë shofer dhe se mbante me vete një sasi të vogël narkotikësh.
Menjëherë pas konstatimeve, Policia ka konfiskuar veturën dhe ka shqiptuar një tiket për mungesë të patentë-shoferit, ndërsa ka filluar procedurat për veprën penale lidhur me substancat narkotike. Por, gjatë ndërhyrjes zyrtare, situata ka eskaluar.
I dyshuari ka kërcënuar verbalisht zyrtarët policorë, duke u thënë: “Kam me ju vra!”
Ndaj rastit, Prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.
Ndërkohë, për narkotikët e gjetur, është hapur një rast i veçantë penal, me të cilin do të merret njësia e hetimeve të Stacionit Policor Ferizaj.