Përgatiti: Afrim Kasolli
Agjencia Bërthamorë e OKB-së me seli në Vjenë, ka konstatuar se Irani i ka shpërfillur detyrimet e tij për mos përhapjen e armëve bërthamore, për herë të parë pas 20 vitesh, shkruan, agjencia e lajmeve Reuters.
Sipas burimeve të këtij mediumi i njëjti tekst do të dërgohet edhe në Këshill të Sigurimit. Ndërkohë, Irani ka reaguar ashpër ndaj informacioneve të tilla. Duke paralajmëruar se do të përgjigjet me një përshkallëzim edhe më të madh bërthamor. Një kthesë e tillë dramatike, ka gjasa t’i komplikojë tej mase negociatat aktuale ndërmjet Iranit dhe SHBA-së, që kanë për qëllim një marrëveshje në mes të dy shteteve për kufizimin e këtij programi. Kjo rezolutë po ashtu po vjen në një kohë kur tensionet janë shtuar tej mase.
Madje SHBA-të, kanë urdhëruar largimin e një pjese të stafit diplomatik dhe familjarët e ushtarëve amerikanë nga rajoni. Diplomatët që morën pjesë në takimin me dyer të mbyllura kanë pohuar se bordi e ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania, me 19 vota pro, 11 abstenime dhe tre shtete kundër – Rusia, Kina dhe Burkina Faso. Teksti në të cilin ka pasur qasje Retuers, konstaton “se Irani që nga viti 2019 ka dështuar të përmbush detyrimet e tij për të siguruar bashkëpunim të plotë dhe në kohë me Agjencinë, lidhur me materialin dhe aktivitetet bërthamore”.
Në anën tjetër në një përgjigje para mediave, Presidenti Trump ka deklaruar se e vetmja mundësi për të ndikuar në shtensionimin e situatës është pajtimi i Iranit që të mos ketë armë bërthamore. Kurse, shteti i Izraelit, sipas burimeve të CNN, ka kohë që është duke përgatitur një sulm ushtarak mbi impiantet bërthamore të Iranit, por që është duke u frenuar nga SHBA-të, me qëllim që t’i jepet shans negociatave.
Edhe shtetet arabe janë duke lobuar me të madhe në Uashington që të shmanget me çdo kusht një konflikti ri në Lindje të Mesme, për shkak të pasojave apokaliptike që do të kishte jo vetëm për rajonin edhe për ekonominë botërore.