14:59 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > IKD: Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, MD propozon nen në kundërshtim me Kushtetutën

IKD: Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, MD propozon nen në kundërshtim me Kushtetutën

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), sot ka publikuar raportin:  “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit aktual).

Në fillim të prezantimit të këtij Raporti, hulumtuesja e IKD-së, Anesa Hoxha, tha se analiza i referohet Projektligjit për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit, Avancimin dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligj ky që rrjedh nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve” deklaratë kjo e nënshkruar mes krerëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit të Shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas analizës, MD edhe në këtë Projektligj është referuar në draft amandamente të cilat ende nuk janë miratuar, ku në Projektligj është vendosur kontrolli i pasurisë së pajustifikueshme si pjesë e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. IKD ka gjetur se këto dispozita janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo pasi pasuria e pajustifikueshme nuk hynë në asnjërën prej këtyre kategorive për shkarkimin e gjyqtarëve apo prokurorëve.

IKD ka gjetur se Projektligji përzien kompetencat e KGjK-së dhe KPK-së me Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila tentohej të themelohej me Ligj të veçantë. Kjo pasi edhe futja e çështjes së pasurisë së pajustifikueshme në kuadër të kontrollit të integritetit, është përzierje e kompetencave të KGjK-së dhe KPK-së me kompetencat e Byrosë. Nëse Byroja paramendohej që të kishte mandat edhe në raport me gjyqtarët dhe prokurorët, është e pakuptimtë që punën e njëjtë ta bëjë edhe KGjK dhe KPK.

IKD ka rekomanduar që të rishqyrtohet dispozita për pasojat e vlerësimit “dobët” të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, në atë mënyrë që në secilin rast kur vlerësimi i performancës ta nxjerrë një gjyqtar apo prokuror me vlerësim të dobët, kjo të shërbejë si bazë për propozimin e shkarkimit të tij nga funksioni. Po ashtu, IKD ka gjetur se Projektligji përfshihet në trajtim të pabarabartë, duke u dhënë një mundësi të dytë gjyqtarëve me mandat të përhershëm të cilët vlerësohen me performancë të dobët dhe duke larguar menjëherë gjyqtarët apo prokurorët me mandat fillestar të cilët marrin këtë vlerësim.