Senzacioni i Milanit, Francesco Camarda, ka bërë historinë teksa u bë lojtari më i ri në histori të Serie A që ka debutuar pasi këtë e bëri vetëm në moshën 15 vjeçare.
Ai u fut në lojë nga banka rezervë në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes ndaj Fiorentinës në “San Siro”.
Ai ka shënuar shtatë gola në 13 paraqitje për Milan Primavera këtë sezon, duke përfshirë tre prej tyre në Ligën e të Rinjve të UEFA-së.
Ky rekord mbahej paraprakisht nga lojtari Wisdom Amey i cili aktivizohet në radhët e Bolognas. Amey ishte futur në lojë ndaj Genoas në maj të vitit të kaluar në moshën 15 vjeçare dhe 274 ditë.
Vetëm katër ditë më i madh ishte në debutimin e tij sulmuesi i Genoas, Pietro Pellegri, i cili u aktivizua ndaj Torinos.
Lojtari më i ri që ka debutuar për Milanin deri tani ishte Gianluigi Donnarumma, i cili në moshën 16-vjeçare u zgjodh për të startuar ndaj Sassuolos në tetor të vitit 2015.
/TV Arbëria