Safet Syla, autori i romanit Hija e Pafajësisë dhe njëherit ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë i ftuar në emisionin “N’Pult” në TV Arbëria me Resim Morinën. Në këtë përvjetor të 26-të të Çlirimit të Kosovës, Syla ka folur më shumë rreth librit të tij dhe ka ndarë mendimet për padrejtësitë e mëdha që populli i Kosovës dhe veteranët e luftës kanë përjetuar pas luftës.
“Në kopertinë shihen një qeli, një vajzë e arrestuar, në kopertinë shihet edhe emblema e UÇK-së, aty shihet edhe hija e një pafajësie e cila na ka përcjellë që nga paslufta deri më tani, edhe sot është shumë aktuale kjo hije e pafajësisë.”
Syla thekson se pas përfundimit të luftës çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e UNMIK-ut, u realizuan arrestime dhe burgosje të udhëheqësve dhe komandantëve të UÇK-së nëpër të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas përfundimit të luftës çlirimtare të Kosovës, në Kosovë nën udhëheqjen e UNMIK-ut, në atë kohë, nëpër të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndodhur arrestime, burgosje të udhëheqësve, të komandantëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëpër të gjitha shtatë zonat operative kemi pasur arrestime. Paralel me arrestimet që janë bërë në Kosovë, ka ndodhur edhe gjykata e Hagës, dëshmitarë jemi Fatmir Limaj me ekipin e tij, Ramush Haradinaj me grupin e tij,” ka thënë Syla.
Ai shton se kjo padrejtësi ka vazhduar edhe pas 26 vjetësh, duke përmendur krerët e UÇK-së që po gjykohen ende në Hagë.
“Edhe sot, pas 26 vjetësh, prapë në Hagë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shumë të tjerë. Hija e pafajësisë nënkupton një të kaluar të trishtuar për popullin tonë e në veçanti për bashkëluftëtarët, për veteranët e Luftës Çlirimtare të Kosovës,” ka thënë Syla.
Syla kritika ndaj institucioneve për trajtimin e veteranëve: Fatkeqësia më e madhe qëndron te vet institucionet e Kosovës
Ndër të tjera, Syla ka hedhur kritika të ashpra për institucionet e Kosovës në lidhje me trajtimin e veteranëve të luftës.
“Fatkeqësia më e madhe qëndron tek vet institucionet e tona, sepse shteti i Kosovës është dashtë deri më tani të mendojë për gjendjen emocionale dhe shpirtërore të bashkëluftëtarëve, për arrestimet, për burgosjet e padrejta, për dënimet, gjoja në emër të krimeve të luftës.”
Syla shprehu shqetësimin se shteti i Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për të trajtuar padrejtësitë që janë bërë ndaj veteranëve dhe për të ndihmuar ata që kaluan përmes një periudhe të vështirë pas luftës. /TV Arbëria
EMISIONIN MUND TA NDIQNI KËTU: