Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për vlerësim të vendimeve të Kuvendit të Kosovës dhe situatës që është krijuar.
“Ne veçse e kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim. Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë të vendimeve që janë marrë në Kuvend. Si rasti i mosformimit të Komisionit për votimin e fshehtë dhe të gjitha vendimet paraprake bazuar në procesverbalin e seancave. Sot jemi në konsulta edhe me PDK-në dhe LDK-në në mënyrë që 10 deputetë t’i drejtohemi Gjykatës. Të gjitha vendimet e Kuvendit veç e veç si për mënyrën e votimit, për ndërprerjen, si për situatën e mosnxjerrjes në votim të kandidatit, ardhja në seancë e të gjitha këto”.
Ndërkaq, për një takim të mundshëm të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, Haradinaj, i cili para disa ditësh ka deklaruar se nuk ulet në një tavolinë të njëjtë me Vetëvendosjen, tha se do ta shohin se në çfarë formati do të thirret takimi.