Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Fruthi në Kosovë, IKSHPK tregon komunat me shpërthime të lokalizuara në institucione parashkollore

Fruthi në Kosovë, IKSHPK tregon komunat me shpërthime të lokalizuara në institucione parashkollore

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Institucionet shëndetësore, ka njoftuar qytetarët për rritjen e numrit të rasteve me fruth.

Sipas një njoftimi nga IKSHPK, nga data 05.05.2025 deri me 22.05.2025 në IKShPK, janë raportuar 18 raste të mundshme/të konfirmuara me fruth.

Derisa është bërë thirrje për vaksinim të qytetarëve të Kosovës.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u bën thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve, që të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar kundër fruthit. Vaksina MMR (Fruth, Parotit, Rubellë) është mënyra më e sigurt dhe efektive për të parandaluar këtë sëmundje. Vaksinimi gjithashtu është i rëndësishëm për të ruajtur imunitetin kolektiv dhe për të parandaluar përhapjen e fruthit në komunitet”, thuhej në njoftimin e tyre.

Teksa Tv Arbëria ka dërguar pyetje në IKSHPK për të marrë informacione mbi analizën e situatës aktuale me fruth në vend.

Në përgjigjen e tyre thuhet se të gjitha rastet e raportuara me fruth janë të pavaksinuar me vaksinën MMR.

Derisa bëhet e ditur se  2 raste janë në Ferizaj, 3 në Fushë Kosovë, 3 në Prishtinë, 2 në Shtime,  1 në Lipjan dhe 1 në Kaçanik.

“ Janar – Prill 2025: Janë raportuar 6 raste me Fruth, të cilat ishin të importuara dhe sporadike. Nga data 05.05.2025 deri me 26.05.2025 në IKShPK, janë raportuar 22 raste të dyshimta të mundshme/të konfirmuara me fruth. Nga 22 rastet e raportuara me Fruth, 17 prej tyre janë identifikuar si raste index dhe 5 raste si kontakte të këtyre rasteve duke treguar një përhapje në komunitet.  Të gjitha rastet e raportuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR. Shpërndarja sipas komunave: Ferizaj (12 raste), Fushë Kosovë (3 raste), Prishtinë (3 raste), Shtime (2 raste), Lipjan (1 rast) dhe Kaçanik (1)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të pyetur se a ka pasur ndonjë shpërthim të lokalizuar të fruthit dhe çfarë masa janë ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së mëtejshme, nga IKSHPK thuhet se “shpërthime të lokalizuara në Instiutucione parashkollore (Ferizaj, Shtime, Prishtinë, Fushë Kosovë)”.

E për masat e ndërmarra nga ky institucion thuhet se janë bërë “Anketim dhe hulumtim epidemiologjik për të gjitha rastet e dyshimta dhe të konfirmuara, Verifikimi i statusit vaksinal të rasteve dhe kontakteve, Gjurmimi dhe izolimi i kontakteve, me rekomandime për vetë-izolim dhe përcjellje të simptomave dhe Monitorim aktiv dhe përditësim i të dhënave për situatën me Fruth në të gjitha komunat e prekura”.

Derisa thuhet se “IKShPK dhe MSh në bashkëpunim me Instiucionet e Kujdesit parësorë shëndetësor kanë ndërrmarë masa në identifikimin e fëmijeve të pavaksinuar dhe kanë ofruar mundësi prinderve për të vaksinuar fëmijet e tyre menjëherë. Fushata informuese në media , rrjete sociale dhe institucione shkollore dhe parashkollore për të thekësuar rëndesinë e vaksinimit.

Konfirmimi i statusit vaksinal për fëmijët 1-5 vjeç në të gjithë vendin dhe thirrje për vaksinim për të gjithë fëmijet që për arsye të ndryshme e kanë shtyrë ose nuk janë vaksinuar me kohë sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit” thuhet tutje nga ky institucion për TV ARBËRIA.