Drejtori i drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov, ka njoftuar se po vihen në funksion byzylykët elektronik për të dënuarit me arrest shtëpiak në Maqedoni të jenë nën mbikëqyrje.
Siç tha ai, në disa burxhe ka tejkalim mbi 100% të kapacitetit, dhe qëllimi i byzylykëve është të zvogëlohet numri i të burgosurve.
Ligjet aktuale i japin mundësi tre kategorive të të dënuarve të përfitojnë nga ky sistem: personave të moshuar dhe të pafuqishëm, grave shtatzëna ose nënave me fëmijë të vegjël, si dhe personave me sëmundje të rënda ose me aftësi të kufizuara. Burgjet vetë mund të propozojnë që për një kategori të caktuar të dënuarish të vendosen byzylykët, tha Pandov në një konferencë për media, duke shtuar se ai vetë po teston aktualisht një byzylyk.
“Nëse largohesh nga perimetri ose nëse e lëvizni ruterin, byzylyku sinjalizon me të kuqe. Nga Drejtoria e Sanksioneve telefonojnë të dënuarin, sepse çdo ruter ka kartelë SIM. Nëse nuk përgjigjet, ka një person të afërt që mund të kontaktohet. Nëse as ai nuk përgjigjet, lajmërohet policia. Besoj se kushdo që merr byzylyk nuk do të guxojë ta keqpërdorë,” tha Pandov.
Ai shtoi se një i burgosur i kushton shtetit mbi 2000 denarë në ditë.