Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, pritën sot në takim prokurorin publik të Maqedonisë Veriore Lupço Kocevski, kreun e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar e korrupsionit Islam Abazi, dhe prokuroren Maria Gjorgeva.
Në takim u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, posaçërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe çështjeve tjera me interes reciprok.
Me këtë rast u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të koordinimit në hetimet e përbashkëta, me qëllim të luftimit të veprave penale që cenojnë juridiksionet e të dyja vendeve.
Takimi i sotëm përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në fushën penale mes dy shteteve, si dhe harmonizimit të veprimeve të përbashkëta për fuqizimin e sundimit të ligjit.