Ministri i Ekonomisë dhe Punës në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, sot nga konferenca për shtyp bëri të ditur se Qeveria ka miratuar planin operativ për punësim për këtë vit, me një shumë rekord prej dyzetë milionë euro.
Plani do të përfshijë 16.507 qytetarë përmes masave të drejtpërdrejta për punësim, vetëpunësim dhe trajnime në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Ndër masat më të rëndësishme janë ato që synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës: dhjetë mijë euro mbështetje për çdo të ri deri në njëzetë e nëntë vjeç që hap biznesin e tij, si dhe deri në njëzetë mijë euro për biznese në çift, kur të dy bashkëthemeluesit janë të rinj. Kompanitë që punësojnë të rinj do të përfitojnë gjithashtu 250 mijë denarë për çdo vend të ri pune.
“Risia e këtij viti është nën-masa Mbështetje për vetëpunësimin e të rinjve të papunë deri në moshën njëzetë e nëntë vjeç, me ç’rast shuma e mbështetjes financiare arrin dhjetë mijë euro mjete të pakthyeshme për themelimin e biznesit. Kjo shumë është rekorde deri më tani dhe synon pikërisht të rinjtë deri në njëzetë e nëntë vjeç, në mënyrë që të motivohen, talentin e tyre sipërmarrës ta realizojnë në shtet”, theksoi ministri Durmishi.