Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Dështimi i Kosovës në KiE, Gërvalla: Oferta për ta shkruar Draftin s’vlen më

Dështimi i Kosovës në KiE, Gërvalla: Oferta për ta shkruar Draftin s’vlen më

Pas dështimit që sot Kosova të anëtarësohet në Këshill të Evropës ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila me qëllim të bindjes së aleatëve për të marrë përkrahje u zotua që Kosova do ta shkruajë një Draft për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dorëzojë në Kushtetuese në fund të muajit maj.

Gërvalla ka thënë se Kosova s’është futur në agjendën e sotme dhe s’kanë marrë as vendim për thirrje të një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës.

Ajo ka thënë se kjo është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të KiE, që në opinionin e saj ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet pa parakushte shtesë. Gërvlla kushtin për Asociacionin e ka quajtur të vonshëm, jofromal dhe arbritrar.

Gërvalla ka thënë se duke qenë se oferta e Kosovës s’u mor parasysh, ajo ofertë për të shkruar Draftin, e humbi vetëvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotme të Komitetit të Minsitrave.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë.Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”, ka shkruar kryediplomatja.