Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin dënues të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Z.V, për krime lufte të kryera në komunën e Vushtrrisë, respektivisht vrasjen e 13 vjeçarit, B. M.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, vendimi i sotshëm shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovë.
“Z.V, ndaj të cilit Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim prej 13 vjetësh për dhunë seksuale gjatë luftës, sot është liruar për një rast tjetër të dhunës seksuale, për çka PSRK do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit. Prokuroria Speciale do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e shkallës së dytë, edhe ndaj akuzave që kanë të bëjnë me vrasjet e civilëve në Studime të Vushtrrisë, më 2 dhe 3 maj të 1999-ës. Prokuroria Speciale rithekson përkushtimin për të hetuar dhe sjellë para drejtësisë, të gjithë autorët e krimeve të luftës, shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Zoran Vukotiq, i akuzuar për “krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë” është shpallur fajtor dhe është dënuar me 15 vjet burgim për vrasjen e 13-vjecarit Burim Muli.
Ndërsa, për tri akuzat tjera u lirua nga aktakuza, raporton KosovaPress.
Zoran Vukotiq është personi i parë i dënuar për dhunim seksual gjatë luftës nga gjykatat vendore.