Shkruan Afrim Kasolli
Që prej shtrenjtimit të fundit të çmimit të rrymës për 16 për qind për qytetarët e Kosovës, me përjashtim të atyre në katër komunat veriore, janë ngritur pandehma se ky vendim i ZRRE-së i shkon për shtati edhe Kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Se nuk përjashtohet mundësia që edhe vet ky i fundit të jetë i involvuar në ketë treg.
Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pas vendimit për t’i detyruar kompanitë vendore me mbi 50 punëtore apo qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro që të dalin nga tarifat e rregullta fikse në treg të hapur. Përfaqësues të këtyre ndërmarrjeve kanë deklaruar se me këtë ndryshim tashmë do te jenë të detyruara që të paguajnë nga “220 deri në 270 për qind më shumë për çmimin e rrymës”
Ndërkohë, para pak dite u bë e ditur se edhe vëllai i shefit të kabinetit të kryeministrit në detyrë, Luan Dalipi ka aplikuar për licencë pranë ZRrE-së për t’u përfshirë në këtë “eldorado të re financiare” që po krijohet. Dhe i njëjti kur është pyetur nga mediat e ka pranuar këtë fakt me arsyetimin se “po e provon fatin, ne tregun e energjisë”. Kam shkruar se kjo është njëra nga deklaratat me të sinqerta që është dhënë nga eksponetet e këtij pushteti deri me tani lidhur me abuzimet e tyre në këtë sektor. Si e tille, ajo më mirë se asgjë tjetër, e pasqyron mënyrën e funksionimit të kësaj kaste politike. Ngase tregon se si te njëjtit tashmë pushtetin e kanë shndërruar në fat ekzistencial për përfitime familjare. Një strukture që pjesën më të madhe të tyre era e turbulencave historike i nxorri nga hiçi i qenies drejt lartësive të Olimpit politik, nuk kanë si të sillen ndryshe, pos ta shfrytëzojnë deri në maksimum çdo mundësi dhe shans që u ka ofruar ky fatum jetësor.
Por më befasuese se ky interpretim, mbetet indiferenca e Albin Kurtit, ndaj tij. Në rrethana tjera ai do ishte shkarkuar pa asnjë hezitim për këtë “mëkat ideologjik”. Sepse ky shpjegim është në kundërshtim flagrant me narracionin e shefit të tij, se si legjitimohen bizneset e familjareve të atyre që janë të lidhur me pushtetin.
Për më shumë, pak ditë para këtij skandali, ishte vet Albin Kurti që pa asnjë hezitim e shkarkoi nga pozita aktivistin e veteran të Lëvizjes Vetëvendosje, zv.ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, pasi ky i fundit, i kishte “akuzuar diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, se me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit”. Por, gjuha e këtij të fundit ishte në sinkron të plotë me atë që e ka ndjekur Albin Kurti, jo vetëm gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, por edhe si qeveritar. I njëjti i kishte akuzuar në vazhdimësi diplomatët ndërkombëtar se qëndrimet e Serbisë i kanë shndërruar në qëndrime të BE-së kundër Kosovës.
Pra pikërisht ky paradoks, ku shefi i kabinetit të Albin Kurti, e përdor një gjuhë që është e kundërt me atë që ky i fundit e mbron në publik për t’i joshur masat me slogane politike, por tregohet tejet i ashpër ndaj atij që e imiton narracionin politik të liderit mbi rolin destruktiv të ndërkombëtareve, mbase tregon më mirë se asgjë tjetër mbi përfshirjen politike të Albin Kurtit në tregun energjetik. Kuptohet, një gjë e tillë duhet të verifikohet edhe juridikisht. Detyrë kjo që i takon një niveli tjetër të pushtetit në Kosovë. /TV Arbëria