Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, Hill: Kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, e di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme

Sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, Hill: Kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, e di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme

Hill në një postim në Twitter duke kujtuar atë periudhë thekson se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë.

“Unë ia kam kushtuar jetën diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për problemet në dukje të pazgjidhshme. Gjatë karrierës sime, kam mësuar se ndonjëherë diplomacia dështon. Kur ndodh, rezultatet mund të jenë tragjike.

Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, shkruan ambasadori Hill.

Ai më tej shprehet se populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por thotë se beson që  është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij.

“Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për partneritetin tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë.

Së bashku, ne mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë që populli serb meriton dhe dëshiron për brezat e ardhshëm”, shkruan ambasadori Hill.

Ndryshe, sot janë bërë 24 vjet prej sulmeve të para të NATO-s ndaj caqeve të Serbisë, pas krimeve të pushtetit serb në Kosovë.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Sllobodan Millosheviqit dhe më 11 qershor 1999 forcat e Serbisë lëshojnë territorin e Kosovës.

/TV Arbëria