I ftuar në emisionin N’Pult në TV Arbëria, Cen Desku deklaroi se vrasjet më masive kanë ndodhur në armatën jugosllave ndaj ushtarëve shqiptar.
“Them ‘jugosllave’ sepse ka qenë armata serbe, sepse shumica e gjeneralëve, komandantëve në atë ushtri kanë qenë serbë. Edhe ata kanë komandu edhe kanë vendos për të gjitha çështjet në armatë, prandaj dihet historikisht që serbët kanë pas shumë projekte kundër shqiptarëve” u shpreh Desku.
Sipas tij, si ushtri serbe, kjo forcë ka ushtruar dhunë kundër popullatës shqiptare, kudo që i ka gjetur, në demonstrata e në rrugë, me qëllim shpërnguljeje.
“Si ushtri serbe kundër popullatës shqiptare kudo që i ka gjetë, në demostrata, në rrugë ka ba dhunë për shpërngulje”
“Mirëpo fenomen më vete ka qenë vrasja e ushtarëve në armatë. Kjo ka qenë një dhimbje e madhe edhe humbje për djemtë e rinj. Kjo ka qenë armata e vetme në botë që i ka vra ushtarët e vet me uniformën e vet” theksoi ai.
Desku rikujtoi se sidomos prej viteve të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë e Kosovë, kur është kërkuar republikë për Kosovën, ka filluar dhuna në armatë ndaj ushtarëve shqiptarë.
“Sidomos prej viteve, demostratave 1981 që kanë qenë në Prishtinë e Kosovë, që është kërkuar republikë për Kosovën, prej aty ka fillu edhe një dhunë në armatë”
“Janë burgos shumë ushtarë, janë burgos shumë oficerë shqiptarë dhe nuk është ndërpre dhuna ndaj tyre në forma të ndryshme kundër shqiptarëve” përfundoi ai. /TV Arbëria