Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Cakolli: Ngërçi në Kuvend nuk është procedural, është politik

Cakolli: Ngërçi në Kuvend nuk është procedural, është politik

Seanca konstituive ka dështtuar sot për të pestën herë me radhë. Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se ngërçi në Kuvend nuk është procedural, sipas tij, është politik. Prandaj, sipas tij, nuk zgjidhet me “konsultime” të thirrura 30 minuta para seancës, nga Kryesuesi që është aty vetëm pse është më i vjetri në moshë, e jo sepse përfaqëson ndonjë autoritet politik vendimmarrës, raporton KosovaPress.

“Konsultimet me peshë thirren nga lidershipi partiak. Dhe nëse Lëvizja Vetëvendosje ka vërtet vullnet për konstituim, duhet të punojë më seriozisht për një marrëveshje apo kompromis – jo të përsërisë një kandidaturë pa shumicë dhe të presë që numrat të ndryshojnë vetvetiu”, ka shkruar Cakolli.

Cakolli ka shkruar se “Sepse Kuvendi nuk vetkonstituohet. Pa marrëveshje, nuk ka shumicë e as konstituim. Dhe sa më shumë përsëriten seanca me të njëjtin rezultat, aq më qartë bëhet që kjo fazë komode – pa afate dhe pa përgjegjësi – po iu përshtatet më shumë se zgjidhja vetë”.

E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë sërish votat për kryetare të Kuvendit, raporton KosovaPress.

Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.

Vazhdimi i seancë konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00.