Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Basha: Bllokimi po vjen nga opozita

​Basha: Bllokimi po vjen nga opozita

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha fajësoi sërish të martën opozitën për bllokim të Kuvendit. Sipas tij, argumenti i tyre për mosvotimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare “është ofendues”.

Basha foli para fillimit të seancës që është përpjekja e tetë për konstituimi të Kuvendit.

“Ne prapë do të votojmë pro, bllokimi po vjen prej atyre që votojnë kundër e jo deputetëve që votojnë për. E dyta, është me rëndësi me cek që kuvendi, kryesia e kuvendit, konstituimi i kuvendit ndodhë me zgjedhjen e kryesisë që janë pesë nënkryetarët edhe kryetari. E kjo nuk i takon krejt LVV-së, nuk është se ne i kemi fituar pesë nënkryetarët edhe kryetarin edhe s’po bëjmë asnjë kompromis, por i takon tri subjekteve më të madhe politike dhe dy përfaqësuesve të komuniteteve me fjalë tjera Kushtetuesja veç i ka përcaktuar rregullat e lojës”, deklaroi ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Albulena Haxhiu “nuk e ka asnjë njollë gjatë punës së saj”, ndërkohë u përgjigj edhe për Glauk Konjufcën.

“Argumenti i opozitës që po thotë se Albulena Haxhiu nuk duhet të votohet për shkak se është e zhurmshme, është përçarëse, unë mendoj që në thellësi kjo është ofenduese. Duhet me u kuptua që zonja Haxhiu ka qenë deputete për mbi 10 vite, ministre për mbi 4 vjet dhe nuk e gjeni askund asnjë njollë të vetme në punën e saj të ndershme që e ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Ne krejt qytetarët e republikës jemi jashtëzakonisht të kënaqur me zotëri Konjufca, por propozimi ynë kësaj radhe ka qenë zonja Albulena Haxhiun, në konsultim me gjithë deputetët përfshirë zotëri Konjufca”,shtoi ai.