Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, është deklaruar rreth ngërçit në Kuvend, duke thënë se kjo parti ‘‘nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake’’.
Në postimin e saj, Bajrami ka thënë edhe se, për të arritur shumicën në Kuvend janë dy mënyra, ose me votat e qytetarëve ose me marrëveshje politike, ku, VV-ja, siç ka potencuar deputetja e LDK’së, të parën nuk e ka arritur, kurse të dytën me marrëveshje politike VV-ja ‘’s’po e don’’.
Bajrami, ka deklaruar edhe se insistimi i LVV-së në kandidaturën e Albulena Haxhiut, për të parën e Kuvendit, është shpërfillje e realitetit parlamentar që po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit, dhe se, përmes kësaj, ata po tregojnë mungesë të vullnetit për t’i shërbyer vendit.
‘‘Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët’’, ka shkruar ajo.
Tutje, deputetja e LDK-së, ka thënë se vendi meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme.