Artan Nimani nga NISMA I ftuar në emisionin N’Pult me Resim Morina në TV Arbëria ka kritikuar ashpër bllokadën e krijuar në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si të padurueshme dhe të dëmshme për vendin.
“Kuvendi, një teatër pa aktorë”
Sipas Nimanit, Kuvendi i Kosovës po vazhdon një cikël të dështimeve që kanë karakterizuar katër vitet e fundit të qeverisjes.
“Si duket Kuvendi i Kosovës e ka një synim që të futet në librin e Ginisit për dështime, ndoshta për shkak të dështimeve të vazhdueshme katërvjeçare të qeverisjes, po don me e vazhdu dështimin edhe me këtë legjislaturën e re,” u shpreh ai.
Ai shtoi se kjo situatë ka bërë që Kuvendi të perceptohet si një teatër pa aktorë, ku deputetët janë të pranishëm fizikisht, por jo aktivë në funksionin e tyre kushtetues.
“Dhe si e tillë, vërtetë është bërë e neveritshme, e padurueshme dhe për opinionin publik është bërë një teatër pa aktorë, por që deputetët po luajnë rolin e tyre vetëm me statikën, por jo edhe duke folur ose duke tentuar që të gjejnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.”
“Çdo ditë në dëm të Kosovës”
Nimani ngriti shqetësimin se mosfunksionimi i Kuvendit po sjell pasoja të mëdha për vendin.
“Çdo ditë e më tepër është duke shkuar në dëm të interesave të Kosovës, në dëm të interesave të qytetarëve dhe në dëm të Republikës së Kosovës.”
Ai kritikoi ashpër sjelljen e partive politike që, sipas tij, po veprojnë me kryeneçësi, duke e bërë të pamundur arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë.
“Unë nuk shoh shpejt një zgjidhje të ngërçit pa heq dorë nga kryeneqësia e partive politike.”
Nimani solli një krahasim të situatës politike me një thënie të Albert Ajnshtajnit, për të ilustruar absurditetin e përsëritjes së të njëjtave gabime pa pritur rezultate të ndryshme.
“Ajnshtajni thotë: vetëm një i çmendur pret që me mostra të njëjta të ketë rezultate të ndryshme.” /TV Arbëria