Dy zyrtarë policorë të dyshuar për marrje ryshfeti janë arrestuar të dielën nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Nga IPK kanë njoftuar se kanë pranuar informacione nga një qytetar i cili pretendonte se dy policët nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
“Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se zyrtarët policorë e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar qytetarit një shumë monetare. Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim duke mbetur e përkushtuar drejt fuqizimit të integritetit në radhët e policisë”, thuhet tutje.