12:16 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Amerika në mes të rendit dhe lirisë

Amerika në mes të rendit dhe lirisë

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga koha kur e ka marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, presidentin Trump e ka veçuar prirja për ta porterizuar vetën si mishërim autentik i popullit amerikan. Dhe se çdo gjë tjetër duhet t’i subordinohet vullnetit të tij politik. Ngase ai është përfaqësues legjitim i vullnetit demokratik amerikan.

Mirëpo, një tezë e tillë është kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme nga gjykatat dhe njohës të normave kushtetuese ngase ajo nuk është në pajtim me traditën e gjatë politike dhe shtetërore të këtij vendi. Sepse sipas tyre, në SHBA, pushteti i Presidentit i takon dimensionit ekzekutiv, ligjet nxirren nga Kongresi dhe interpretohen nga gjykatat. Prandaj, i pari është i obliguar të veprojë në koherencë me këto norma. Pjesë e kësaj balance të pushteteve mbetet edhe pavarësia e madhe e shteteve federale me raport me pushtetin qendror.

Po ashtu, përtej këtij konfiguracioni institucional ajo që e ka mbajtur gjallë pasionin kolektiv të këtij kombi është edhe dedikimi për lirinë. Këtë cilësi e kishte pikasur me të drejtë Hannah Arendt, në librin e saj “On Revolution” (Mbi Revolucionin), kur pohon se termi liri në truallin e “botës së re” u përdor në një kuptim të panjohur deri atëherë më parë. Me këtë nocion u nënkuptua një vlerë “e ndryshme nga vullneti i lirë dhe mendimi i lirë që filozofët e kishin njohur dhe diskutuar që nga koha e Shën Augustinit (Saint Augustine). Liria publike s’ishte një sferë e brendshme ku dikush mund të strehohet në vullnetin e tij nga presionet e kësaj bote, ajo nuk ishte po ashtu liri arbitrare (liberum arbitrium), e cila e lejon vullnetin të zgjedhë ndërmjet alternativave. Liria për ata ishte diçka e krijuar nga publiku, e prekshme, realitet i kësaj bote, e formësuar nga njerëzit që të gëzohet po ashtu nga njerëzit”.

Sidoqoftë, përtej këtyre nuancave teorike, tensionet në mes qendrave të sipër cekura të pushtetit e kanë karakterizuar në masë të madhe mandatin e dytë presidencial të Donald Trumpit. Ato kishin filluar me planet ndaj punonjëseve federalë, sipas skemës së bashkëpunëtorit të deri djeshëm të Presidentit, ELon Musk. Po ashtu, është i njohur rasti i përplasjes me guvernatoren demokrate Maine, Janet Mills, për fondet federal, kur Donald Trump, e kishte kërcënuar se do t’i ndalonte financat nga shteti për atletët transgjinorë që marrin pjesë në sportet e vajzave dhe grave.

Mirëpo, këto antagonizma kanë arritur kulmin në rastin e dërgimit 2000 trupave të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos dhe vendimit të ri për dislokimin e 700 marinsave, kundër atyre që po protestojnë për shkak të arrestimit të imigrantëve. Siç dihet, ndalimi i emigracionit ishte njëri nga premtimet kryesore elektorale të garës presidenciale të kandidat republikan. Ndonëse reagimi i masave filloi kundër ndalimit të emigrantëve ilegalë, megjithatë ai mori përmasa të jashtëzakonshme pas urdhrit të dërgimit të trupave të Gardës Kombëtare. Sepse një veprim i tillë u bë duke e anashkaluar guvernatorin e shtetit të Kalifornisë si dhe kryetaren e qytetit të Los Anxhelosit. Çfarë edhe u perceptua si cenim i pushtetit të këtyre njësive tjera politike të shtetit amerikan.

Kështu spontanisht qytetarët i vërshuan rrugët dhe sheshet e këtij e qyteti. Një dëshmi kjo se si funksionin shpirti amerikan i rezistencës civile. Natyrisht, degjenerimi eventeve të tilla në dhunë publike mund ta dëmtojë kauzën e tyre, por megjithatë mbetet mahnitëse gatishmëria e amerikanëve të zakonshëm si në mbrojtje të emigrantëve ashtu edhe traditave politike të këtij shteti. Shto këtu faktin, se reagime të tilla nuk nxiten as nga kujtesa për tiraninë, traumat e së cilës e ndjekin këtë shoqëri, sepse kjo e fundit nuk kishte gjetur truall në botën e re, por nga mobilizimi për ta mbrojtur atë mënyrë të jetës që e ka karakterizuar këtë shtet që nga themelimi. Kjo është arsyeja që ato nuk mbrojnë asnjë ideologji, nuk janë të para fabrikuara nga ndonjë rrymë teorike, çfarë i ka veçuar traditat kontinentale të jetës politike, por thjesht nga ai “impuls” të cilën e kishte formuluar njëri nga etërit themelues federal, John Adamasi, kur kishte pohuar se “pushteti kufizohet me pushtet, interesi me interes, forca me forcë, madje edhe arsyeja me arsye dhe po ashtu pasioni me pasion”.

Kuptohet, kjo nuk do të thotë se historia e këtij vendi ka qenë përherë ideale. Por siç ka shkruar, Alexis de Tocqueville, “madhështia e Amerikës nuk qëndron në të qenit më e iluminuar se të tjerët, por në aftësinë për të riparuar gabimet e saj”. Dhe kjo forcë e brendshme ka shoqëruar për rifitim të autoritetit ndërkombëtar edhe kur roli i saj ishte jo popullor. Sipas, Robert O. Keohane dhe Joseph S. Nye, në shkrimin “The End of the Long American Century-Trump and the Sources of U.S. Poëer”, SHBA-të bije fjala ishin jo të popullarizuara si gjatë luftës në Vietnam apo Irak. Por edhe masat që protestonin ndaj këtyre ngjarjeve nuk këndonin himnin e internacionales komuniste, por himnin amerikan për të drejtat cilile “We Shall Overcome.”

Pra është “patosi”i kësaj shoqërie në mbrojte të tjetrit të ndryshëm që qëndron themel të saj, i cili është rishfaqur vazhdimisht në historinë e këtij shteti e që ka ndikuar kufizimin e të gritha formave e të pushtetit që mëtojnë të t’i tejkalojnë kufijtë e rendit republikan demokratik. Dhe e ka shndërruar atë ne vend të mundësive dhe tokë pritëse për ata që kanë gjetur strehë nga vende të ndryshme të botës për shkaqe të ndryshme. /TV Arbëria