Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Alarmon Kasolli: Kosova drejt krizës më të madhe institucionale që nga paslufta

Alarmon Kasolli: Kosova drejt krizës më të madhe institucionale që nga paslufta

Quint-i injorohet: Politika e shurdhër ndaj thirrjeve ndërkombëtare

Afrim Kasolli në ARB Debat me Rid Berisha, ka komentuar dështimin për të 18-tën herë me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se mesazhet nga vendet e Quint-it po injorohen në mënyrë të plotë.

“Mesazhi i vendeve të Quint-it hasi në vesh të shurdhër”, deklaron ai, duke shtuar se secila palë politike është më shumë e angazhuar në kërkimin e fajtorit sesa në gjetjen e një zgjidhjeje.

Luftë për imazh publik: Kush del ‘engjëll’ para qytetarëve?

Sipas Kasollit, partitë politike janë më të interesuara të menaxhojnë perceptimin publik sesa realisht të dalin nga ngërçi.

“Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, njëra palë do të përpiqet të shfaqet si konsensuale, ndërsa do të fajësojë tjetrën për bllokim. Lufta politike do të zhvillohet se kush është përgjegjësi kryesor për këtë bllokim të jetës institucionale”

Kasolli: Kosova po futet në një territor politik të panjohur!

Kasolli e cilëson situatën si të paprecedent në historinë institucionale të pasluftës në Kosovë.

“Për herë të parë po hyjmë në një terren ku as nuk arrijnë të konstituohen organet paszgjedhore. Po shkojmë nga zgjedhjet në zgjedhje pa materializuar vullnetin e qytetarëve”.

“Nëse ndodh kjo, ne do të përballemi me një situatë të paprecedent politike në Kosovën e pasluftës, ngase nëse e përcjellim me vëmendje kronologjinë e jetës institucionale të ekzekutivit, nuk është se qeveritë deri më tani, sidomos pas pavarësisë, e kanë arritur, përjashto Qeverinë Kurti 2, që ta plotësojnë mandatin e tyre kushtetues katërvjeçar. Për herë të parë ne hyjmë në një terren që as nuk arrijnë as të konstituohen organet e dala nga zgjedhjet dhe të shkohet prej zgjedhjeve në zgjedhje pa arritur që të materializohet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Kështu që kjo do të ishte e paprecedent, do të ishte një risi sa i përket situatës politike në Kosovë”

“Është një simptomë e një krize shumë të madhe dhe një krize shumë të thellë politike, në atë që kryeministri në njëfarë mënyre deri më tani është lavdëruar që në Kosovë për herë të parë nuk ka pasur krizë politike, ndërsa tash për herë të dytë nuk po arrin as t’i krijojë institucionet”, deklaroi Kasolli në ARB Debat.

Sipas Kasollit ngërçi politik lidhet edhe me dialogun me Serbinë

Kasolli ndërlidh ngërçin aktual me presionet ndërkombëtare dhe barrën që i është lënë Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Në bindjen time, në masë të madhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kogja është finalizuar në kuptimin kështu teorik, mirëpo ka mbetur barra më e rëndë – sfida më e madhe e zbatimit të detyrimeve dhe obligimeve që shtetet kanë marrë ndërmjet vete. Në mënyrë ironike, tash po them, duket që përgjegjës që nuk po arrijnë të krijohen institucionet e reja janë edhe pikërisht këto kërkesa të bashkësisë ndërkombëtare, sepse partitë politike po e dinë çka i pret në krijimin e një ekzekutivi të ri”

VV-ja nën presion: Qeveria që dështoi ta rifillojë mandatin

Sipas Kasollit, Vetëvendosje ndjen më shumë presionin e dështimit për të konstituuar institucionet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Lëvizjet taktike tregojnë se partia në pushtet është ajo që po ndjen më shumë peshën e dështimit”

Ai përmend edhe kërkesën për mbajtjen e seancave një herë në javë si tregues i këtij presioni.

Albulena Haxhiu – kandidate pa kompromis, por me ‘pasione politike’

Në lidhje me kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, Kasolli shprehet se nuk pret ndryshim qëndrimi nga VV-ja.

“Nuk ka asnjë indikacion nga VV-ja se do të ndryshojnë këtë pozicion. Ata thonë qartë se nuk do t’i pranojnë dëshirat e opozitës për nënshtrim”

Për vetë Haxhiun, ai shton:

“Nuk pres që zonja Haxhiu të ketë aq vullnet të madh politik për të hequr dorë. Ajo ndoshta ndjen presion, por jam i bindur që këtë detyrë që ia ka dhënë subjekti politik, ajo e kryen me pasion”. /TV Arbëria