Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë se do të ftojë së shpejti për intervistim deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Prokuroria në një komunikatë për medie ka thënë se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot në një konferencë për media.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, thuhet aty.
Abazi në një konferencë për media sot tha se ka videoincizime që dëshmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
“Audioincizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Parlamentit. Videoincizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari… IML është i monitoruar 24-orë nga kamerat dhe dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për ministren Haxhiu është që të kryejë punën e saj si ministre, që e ka obligim para qytetarëve… Mendoj që Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlije Balaj dhe Flutura Goga-Bajramin”, ka deklaruar Abazi.