13:49 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > A po tallet bota me ne?

A po tallet bota me ne?

Shkruan: Agron Hoti

Kosova s’ka qenë asnjëherë më e izoluar politikisht, më e refuzuar dhe pse jo më e braktisur nga Perëndimi (sidomos nga SHBA) sesa në këto vitet e fundit. Ka qenë pikërisht ky qëllimi i Serbisë dhe Rusisë që Kosova (nga politika e saj deri te shumica e qytetarëve të saj) të bëhet sa më anti-Krerë të UÇK-së, sa antiperëndimore e sidomos sa më antiamerikane. Fakti që një pjesë e politikës në Kosovë për këto 26 vite çlirim zgjodhi të refuzonte e poshtëronte çdo gjë që vinte nga Krerët e UÇK-së dhe vetëm nga Amerika (përfshirë pavarësinë, shtetin dhe simbolet e Kosovës) flet shumë për këtë. Pastaj, investimet e Serbisë dhe Rusisë në nxitjen e islamit politik vetëm sa i kanë rritur ndjenjat anti-Krerë të UÇK-së dhe antiamerikane në Kosovë e tashmë me të madhe edhe në diasporën tonë.

Këto ndjenja anti-Krerë të UÇK-së dhe antiamerikane të nxitura nga Serbia e Rusia përmes islamit politik, i ka përvetësuar për qëllime politike ajo pjesë e politikës së papërgjegjshme të Kosovës që në thelb ka qenë dhe vazhdon të jetë hapur anti-Krerë të UÇK-së dhe antiamerikane për këto 26 vite çlirim. Eliminimi politik i Krerëve të UÇK-së nga skena politike e Kosovës përmes Gjykatës Speciale që u bë me një inxhiniering të tërë brenda dhe jashtë Kosovës të mirëprojektuar nga Serbia e Rusia me aleatë të tyre kryesisht evropianë, përbën sabotazh të hapur kundër zhvillimit të Kosovës ashtu sikundër që është goditje ndaj proamerikanizmit tonë në Kosovë.

Historia do ta dëshmojë këtë. Fakti që s’merret më askush me ne, e konfirmon më së miri këtë. Sepse, nëse ti për 26 vite çlirim poshtëron, shan dhe refuzon Krerët e UÇK-së që bashkëpunuan dhe u koordinuan ngushtë me Amerikanët gjatë çlirimit, pavarësimit dhe tërë shtetndërtimit të Kosovës, atëherë me automatizëm je anti-Kosovë dhe antiamerikan, sepse këto mega-procese historike (çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi) s’do të mund të bëheshin kurrë pa Amerikën. E kemi provuar gjatë gjithë historisë këtë punë. Dhe fakti që në Kosovë nuk ka më asnjë projekt të madh zhvillimor dhe s’lëviz asgjë në atë drejtim, flet më së miri për një sabotazh të pastër kundër të ardhmes së shtetit të Kosovës.

Përderisa Shqipërisë ia uruan zgjedhjet të gjitha vendet perëndimore, Kosovës askush. Përderisa Shqipëria faktorizohet në rajon, me Kosovën s’merret askush. Shumë më të hapura i kemi pasur dyert në Perëndim e sidomos në SHBA kur s’kemi pasur fare shtet se lëre më nga 1999-2020, sesa në këto vitet e fundit. Dhe këtë gjendje e solli një pjesë tërësisht e papërgjegjshme e politikës që në thelb vazhdon t’i bëjë sabotazh të ardhmes së Kosovës. Përderisa shtetet e rajonit, kush me një e kush me dy lugë, po ecin si dhe sa po munden përpara, Kosovën, që deri dje ishte 100% e orientuar kah Perëndimi i kryesuar nga SHBA, po e ngulfasin sot sanksionet perëndimore, pastaj politika tërësisht e papërgjegjshme dhe paperspektiva totale ekonomike. Dhe në vend që politika e Kosovës, së paku një pjesë e saj që shitet proamerikane, të trokiste sa më shpejtë dhe sa më shumë në dyert e Perëndimit dhe specifikisht të SHBA-së për të dalë nga ky qorrsokak që s’i shihet fundi, ajo ka zgjedhur të vendnumërojë në emër të ca ‘procedurave’ kinse për ‘të mirën’ e vendit.

Mjerisht ende nuk shihet në horizont ndonjë forcë e re politike e arsyeshme që do t’i shtrinte këmbët në përputhje me jorganin, e tillë pra që do ta rikthente vendin në binarët perëndimorë dhe zhvillimorë. Dhe kjo është fatale për të ardhmen e vendit, e sidomos për gjendjen e mjerë energjetike, zgjidhja e së cilës s’është për t’u parë nga askush. E kur ti si Kosovë s’ke asnjë interes për të trokitur në dyert e Perëndimit të kryesuar nga SHBA, pse atëherë ata do të duhej të merreshin me ne?! Përderisa s’ka ndonjë konflikt Kosovë-Serbi, Perëndimi s’e çan kokën për ne. Ia kemi bërë vetes këtë ‘dhuratë’, sepse jemi futur vetë në narkozë të plotë. Prandaj, se a e themelojmë kuvendin e qeverinë apo jo, kjo tashmë ka shumë pak rëndësi për kancelaritë perëndimore të prira nga SHBA.

Me rëndësi për Perëndimin e kryesuar nga SHBA është që në Kosovë të mos ketë ndonjë shkëndijë tensioni apo lufte me Serbi, kjo është kryesorja, e sa për të tjerat veç sa s’po na thonë publikisht “si qofshi, vuajtshi” ose “a po doni të ecni pa mbështetjen tonë, rruga e mbarë ju qoftë bacalok pa ne, e keni prapashliruar tash e po ju duket vetja luan, po harroni që si dje ashtu edhe sot jemi ne ata që po ju ruajmë nga Serbia, se sa për ju, i pari s’do ta priste të fundit duke ikur me të katra.” Edhe Enver Hoxha i shpallte luftë për çdo ditë Perëndimit të kryesuar nga SHBA, por të gjithë talleshin me të.

Prandaj, përderisa vazhdojmë të jemi në këtë gjendje refuzimi perëndimor, ku as macën s’e nxjerrim dot nga përsheshi, askush s’do të merret me ne. Të përçarë e polarizuar jemi sa s’ka ku të shkojmë më shumë, dy veta s’i bën bashkë për asgjë as në Kosovë e as në diasporë, bllokadë në të gjitha anët, të përçarë me Shqipëri, me shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të Luginës së Preshevës, dominim total i injorancës dhe antivlerës në tërë diskursin publik, ku spiuni i UDB-së tenton të barazohet me Adem Jasharin, ku analfabetët bëhen deputetë e profesorët e dëshmuar jo, me arsim e shëndetësi për toke, rritje çmimesh gjithandej që po nxisin shpopullim të frikshëm, me fjalë të tjera jemi futur në një paralizim të tërë të jetës politike, institucionale, ekonomike e sociale dhe ku asgjë më s’po lëviz përpara, ndërkohë që politika totalisht e papërgjegjshme vazhdon të tallet me qytetarin me episodet qesharake në Kuvend që s’kanë të ndalur.