Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po ndërgjegjësohet presidenti Trump për qëllimet e errëta të Putinit?

A po ndërgjegjësohet presidenti Trump për qëllimet e errëta të Putinit?

Shkruan: Afrim Kasolli

Pas takimit më kryetarin e Ukrainës Voldymyr Zelensky, në ceremoninë mortore të Papa Franceskut, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se është i zemëruar me sjelljet e Vladimir Putinit në Ukrainë. Dhe se i njëjti është duke dyshuar gjithnjë e më shumë, sa i përket motiveve të liderit rus për paqe në Ukrainë.  Ku i njëjti me retorikën e tij për marrëveshje është duke i maskuar qëllimet e tij agresive për pushtime të mëtejshme territoriale. Prerazi, presidenti amerikan në rrjetin e tij social ka shkruar, “Nuk jam i lumtur me sulmet ruse në Kiev. Nuk ishin të nevojshme dhe nuk duhej që të ndodhnin tani. Vladimir, ndalu. Në javë po vdesin 5.000 ushtarë. Eja ta bëjmë një marrëveshje të paqes”.

Një reagim i tillë erdhi pas sulmeve masive të ushtrisë ruse mbi Kievin.  Një thirrje e tillë dallon nga frustrimet e vazhdueshme të kryetarit amerikan me Voldymyr Zelensky-n, duke e konsideruar këtë të fundit si pengesë për paqe. Skena më e njohur e kësaj përplasje ishte ajo e në Zyrën Ovale, kur i pari e akuzoi të dytin, se është duke i kontribuar shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore, por që i njëjti nuk e ka asnjë letër në dorë. Po ashtu, para pak dite presidenti amerikan e akuzoi përsëri liderin ukrainas si përgjegjës për vazhdimin e luftës dhe mungesën e progresit në negociatat e paqes.

Tashmë disa nga konturat e këtij plani janë bërë të publike. Sipas tij kërkohet që Ukraina të pajtohet me humbjet territoriale si parakusht për marrëveshje paqësore. Një gjë të tillë, e ka konfirmuar edhe kryetari i Kievit, Vitali Klitschko. Ai ka pohuar se “Ukraina do të mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e  territorit të saj, në kuadër të një marrëveshje paqeje me Rusinë”.

Këtë kthesë të befasishme amerikane shumë kush e ka parë si simptoma e fundit të rendit të deritanishëm botëror, ku zaptimi territoreve me anë të forcës ndaj shteteve të pranuara ndërkombëtarisht është konsideruar ilegale. Madje presioni për një marrëveshje të tillë bie në kundërshtim edhe me zotimet e administratës Trump 1. Sepse në vitin 2018, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kishte deklaruar, se “vendi i tij nuk do t’i njoh në asnjë mënyrë pretendimet territoriale të Moskës mbi gadishullin e Krimesë. Po ashtu, siç shkruan CNN, një plan e tillë i shpërfill edhe detyrimet e Marrëveshjes së Budapestit të vitit 1994, ku Uashingtoni, Moska dhe Londra ishin pajtuar ta garantonin sigurinë e Ukrainës në këmbim që kjo e fundit, t’ia dorëzonte arsenalin bërthamorë sovjetik Rusisë, që deri në atë kohë ndodhej në atë territor.

Mirëpo, që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump e ka bërë të qartë se njëri nga synimet strategjike të tij mbetet ndarja e aleancës ruso-kineze, e cila sidomos që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë është sforcuar tej mase.

Shteti i largët aziatik pas sanksionimit perëndimor të Rusisë, është bërë në burim kryesor të marrëdhënieve tregtare për këtë të fundit. Po ashtu Kina, siç po vërtetohet dita ditës po e mirëmban edhe makinerinë luftarake të Rusisë, si me pajisje milituare ashtu edhe me trupa tokësore. Prandaj, ambicia për t’i divorcvuar këto dy shtete, nuk mund të bëhet pa rehabilitim ndërkombëtar të Moskës. Mirëpo siç ka vënë në pah, Michale McFaul dhe Evan S. Medeiros, në shkrimin “China and Russia Will Not Be Split – The “Reverse Kissinger” Delusion” një riinkarnim i doktrinës strategjike të ish-diplomatit amerikan Henry Kissinger, i cili gjatë kohës së administratës  Rixhard Nixon, ia doli ta përçaj aleancën sino-sovejtike, në kushtet e sotme është i pamundur. Sepse niveli i raporteve ndërmjet këtyre shteteve ishte krejt tjetër në krahasim me vitet ’70-ta të shekullit të kaluar. Pekini dhe Moska atëbotë thuajse ishin praktikisht në luftë. Dhe se SHBA-të i shfrytëzuan këto antagonizma. Gjendje kjo që nuk ekziston aktualisht. Për më shumë, si lideri rus ashtu edhe ai kinezë e kanë një vizion të përbashkët. Ata i veçon angazhimi për autokracinë dhe urrejtja për Shtetet e Bashkuara. Të dy ndihen të kërcënuar nga vlerat demokratike. Synimi i tyre, mbetet zvogëlimi i ndikimit ekonomik, ushtarak dhe politik i Shteteve të Bashkuara, si dhe dobësimi i rendit ndërkombëtar i mishëruar nga Perëndimi.

Ky sfond tregon se qëllimi i Putinit nuk është ndonjë dakordim për marrëveshje për paqe. As rehabilitim dhe afrimi me Perëndimin. Por vetëm shtihemi dhe manipulimi se është pro këtij opsioni. Madje qëllimi i tij është vetëm përçarja e Perëndimit dhe lidhjeve transatlantike. Dhe largimi frustrativ amerikan nga ky proces, gjë që u paralajmërua edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se SHBA-të, mund të tërhiqen brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje.

Synime të tilla tregojnë se do ta bënin jo efektive as rikthimin  në modelin e Koncertit Evropian për menaxhimin e rendit ndërkombëtar. Sipas,  Stacie E. Goddard, në shkrimin, “The Rise and Fall of Great-Poëer Competition- Trump’s Neë Spheres of Influence” në shumëçka qasja aktuale e presidentit  Trump reflekton synimet për ta imituar këtë paradigmë, sikur në shekullin 19-të, ku pas luftërave Napoleonike, fuqitë e mëdha të kohës, ishin pajtuar t’i njihnin zonat  interesit njëra-tjetrës.

Kështu, sot, SHBA-të, Kina dhe Rusia mund të pajtohen se ku janë kufijtë e tyre dhe tw mos tundohen nga ambicia për të interferuar në interesat njëra-tjetrës. Por siç,  ka vënë në pah ky autor,  një rend i tillë kolapsoi, sepse pikërisht shtete që ishin përjashtuar nga tavolina e madhe nuk u pajtuan me këtë margjinalizim. Bie  fjala, bashkimi i Gjermanisë në fund të shekullit 19-të i çmontoi balancat e forcës në kontinent. Po ashtu edhe Japonia nuk mund të ishte komode me injorimin saj ndërkombëtar. Këto  tensione u agravuana aq shumë sa rezultuan në dy luftëra botërore. Ngase parametrat e tij rendi nuk mund t’i kontrollonin këto zhvendosje gjeopolitike. Po ashtu as sot, pavarësisht sfidave në të cilat ndodhet BE-ja, ajo nuk mund të pajtohet me një përjashtim të saj nga menaxhimi i sigurisë ndërkombëtare, sidomos kur vendoset në kontinentin e saj. Apo Lindje të Largët, Japonia dhe India me rolin hegjemonik të Kinës. Dhe më për shumë Rusia dhe Kina tashmë nuk kanë interes ta ndajnë pushtetin me SHBA-të, por si ta dobësojnë atë në planin ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, siç shkruan, Ivana Kottasova, në shkrimin, “Putin has outmanoeuvred a host of US presidents. Trump is only the latest” qëllimi i real i presidentit rus është vetëm blerja e kohës dhe jetësimi i planeve të errëta kundër SHBA-ve dhe Perëndimit. Qoftë, si ish-agjent i KGB dhe si drejtues i Rusisë, ai ka akumuluar mjaft përvojë për t’u ballafaquar me situata të tilla. Ai deri më sot ka negociuar me pesë presidentë të SHBA-ve, tetë kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar  dhe gjashtë shefa të NATO-së. Prandaj, me të drejtë janë ngritur shqetësimet se a është si person i duhur për negociatat të paqes Steve Witkoff, pa ndonjë përvojë parapake diplomatike dhe shto faktin se i njëjti paralelisht është duke u marrë me tri kriza serioze ndërkombëtare, sikur se Iranin, Gazën dhe luftën në Ukrainë.

Përfundimisht, pas deklarimeve të fundit nga Roma, mbetet të shihet se a u ndërgjegjësua më në fund presidenti Trump, se paqja me liderin rus është e pamundur. Dhe se rruga e afrimit më të duke i tjetërsuar marrëdhëniet me aleatët tradicionale nuk është në funksion të interesave afatgjate të Perëndimit dhe SHBA-ve, pavërisht përfitimeve taktike të momentit që mund të krijohen. Lideri rus tashmë e ka definuar vetën si armik i Perëndimit dhe ai si tillë duhet trajtuar. /TV Arbëria