Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po ia lehtëson Kosova punën Serbisë me bllokimin e krijimit të institucioneve të reja?

A po ia lehtëson Kosova punën Serbisë me bllokimin e krijimit të institucioneve të reja?

Shkruan: Afrim Kasolli

Tashmë është e qartë se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, nuk mund të rifillojë pa krijimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në anën tjetër, një sërë diplomatësh ndërkombëtarë e kane shtruar si nevojë urgjente tejkalimin e krizës aktuale politike në Kosovë, për shkak të pamundësisë për t’u konstituuar Kuvendi me qëllim nisjen e procesit të sipër-përmendur.

Kësaj thirrje në fund dje iu bashkua edhe Parlamenti Evropian. Nëpërmjet një rezolute ky institucion ka pohuar se e procesi integrues i Kosovës, ka nevojë për një momentum të ri” Po ashtu, nevojitet një “një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit”, sepse mjerisht, sipas eurodeputetëve, “dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”. Në këtë drejtim, të njëjtit u kërkuan të dyja palëve “që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtar”.

Parlamenti evropian edhe kohë më parë ishte shprehur kritik mbi mbarëvajtjen e dialogut dhe rezultatet e tij. Madje, nëpërmjet një rezolute tjetër, eurodeputetet kishin bërë thirrje që të ndryshonte qasja e Brukselit, si lehtësues i këtij procesi, sepse dështimi i këtij të fundit e dëmton peshën dhe rolin gjeopolitik të BE-së.

Se dialogu nuk i ka prodhuar rezultatet e pritura është evidente. Kurse mjerisht nga progresi në këtë drejtim varet edhe ai i integrimeve euro-atlantike. Një konstatim të tillë, e pohoi edhe shefja e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. E njëjta ka deklaruar se janë duke i “shqyrtuar opsionet që përpos dialogut të mendohet edhe ndonjë mjet tjetër se si do të mund të kontribuonte në drejtim të normalizimit ndërmjet dy vendeve, por nuk ka lënë pa shtuar se janë duke i analizuar edhe gabimet që kanë ndodhur në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë e që kanë ndikuar në stagnimin e tij.

Megjithatë asnjë korrigjim i tij nuk mund të ndodhë pa rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve. Prandaj sa më shumë që Kosova të vonohet në drejtim të formimit të organeve të reja, aq më shumë ia lehtëson punën Serbisë. Ngase kjo e fundit arsyetohet se nuk ka palë legjitime qeverisëse në Kosovë për të dialoguar. Natyrisht, askush nuk po thotë që ky proces të ketë suksese, çdo gjë varet nga Kosova.

Vet refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar Brukselit në sanksionimin ndërkombëtar dhe ekonomik të Rusisë, për shkak të agresionit brutal në Ukrainë,si dhe vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë më 9 maj, në ditën e paradës ushtarake, dëshmon se ky shtet vazhdon ta shpërfillë në mënyrë brutale politikën e përbashkët të BE, pjese e së cilës është edhe dialogu Kosovë-Serbi. Mirëpo, qëllimi është që Kosova të jetë gati me ofertën e saj në funksion të korrigjimit të këtij procesi, sepse tashmë është krijuar një konsensues i përgjithshëm që modeli i deritanishëm ka dështuar.

Që nga koha e certifikimit të rezultatit zgjedhor, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia nëpërmjet Listës Serbe është angazhuar që ta mbajë peng vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës. Madje tashmë ai ka hedhur dyshime se pjesë e kësaj agjende subversive, janë bërë edhe disa parti tjera minoritare jo serbe. Mirëpo e vërteta është se asnjëra prej këtyre subjekteve nuk kanë potencial përfundimtar për ta mbajtur peng formimin e institucioneve të reja. Përkundrazi, me bllokadën e vendosur mbi Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, po u lehtëson atyre punën, pa pasur ato nevojë për angazhim shtesë. Sepse në fund të fundit mbase me këtë qasje pretendon t’i shmanget për aq sa është e mundur presionit për themelim të Asociacionit të komunaleve me shumicë serbe që e ka pranuar me Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e zbatimit në Ohër. E këtë detyrim hiç me larg se dje e rikujtojë edhe rezoluta e sipër cekur e parlamentit evropian.

Por, duket që kjo të jetë arsyeja që edhe partitë “opozitare” të përshtaten me këtë bllokadë. Sepse detyrimet ndërkombëtare të Kosovë kanë mundur t’i shmangin për nevoja të brendshme gjatë fushatës elektorale, por janë të vetëdijshme që një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë sikur hipotetikisht ta drejtonin shtetin.

Prandaj tashmë fati i tyre u ngjason atij të dënuarit me “vdekje politike” që gjatë gjithë kohës brenda mureve të qelisë shpreson se ndonjë dekret hyjnor apo perandorak mund ta shpëtojë nga “dënimi përfundimtar”.

Por siç kam pohuar disa herë, askund njeriu më shumë se në politikë nuk përballet me pasojat e veprimeve të veta. E, kjo gjendje pa shtegdalje në të cilën janë partitë politike aktualisht, nuk është asgjë tjetër, posë pasojë e sjelljes së tyre për një kohë të gjatë, me theks të veçante e shndërrimit të politikës së jashtme në mjet për përfitime brendshme momentale.